Ulja e dënimit nga burg përjetë në 25 vite burgim për Dritan Dajtin, duke i njohur atij gjykimin e shkurtuar ka shkaktuar një reagim të fortë të opinionit publik dhe të vetë klasës politike.
Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se qëndron pas vendimit të marrë me shumicë votash 3 me 2 nga trupa prej pesë gjyqtarësh të Gjykatave të Apelit në rrethe të thirrur në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda pas shterimit të trupës së përhershme të kësaj gjykate.
Vetë Kryeministri Edi Rama i ka qëndruar larg këtij debati, duke mos e komentuar atë. Por, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj doli në një konferencë për mediat ku njoftoi se i kishte dorëzuar një kërkesë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
“Ka vend për hetim disiplinor për gjyqtarët që morën këtë vendim. Për këtë arsye i jam drejtuar KLGJ për të shkarkuar nga detyra gjyqtarët dhe të kryhet një hetim i thelluar në lidhje me këtë dosje”, deklaroi ajo.
Deklaratës së ministres Gjonaj iu përgjigj menjëherë Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ky institucion premtoi shqyrtimin me përparësi të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë.
"Këshilli do të bëjë vlerësimin e duhur, në përputhje me kuadrin e ri ligjor dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në respektim të ligjit", thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat dhe publikun nga ana e KLGJ-së.
Çfarë do të thotë kjo? KLGJ premton se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim ekstraligjor, por do t’i qëndrojë ligjit në trajtimin e këtij rasti. Por, është pikërisht ligji ai që ja lidh duart këtij institucioni në ndërmarrjen e masave ndaj tre gjyqtarëve që zbutën dënimin e vrasësit të katër policëve.
Sipas akteve të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi, letra dhe ankesa e drejtuar nga Etilda Gjonaj në KLGj ligjërisht është “nul”. Reforma në drejtësi parashikon që të gjitha palët, qoftë edhe ministri, që kanë një pretendim për një vendim të padrejtë nga ana e një gjyqtari të caktuar i drejtohen me ankesë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Më pas, ky inspektoriat shqyrton rastin në fjalë dhe nëse gjen shkelje i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ky këshill, në bazë të provave dhe argumentimeve të paraqitura nga Inspektoriati i Larte i Drejtësisë vendos për shkarkimin ose jo të gjyqtarit/gjyqtarëve ndaj të cilit/cilëve është ankuar ILD.
Pra, në rastin e Dritan Dajtit, ministrja Etilda Gjonaj duhej t’i ishte drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, i cili më pas mund të dorëzonte ankesën në KLGJ. Por, problemi i madh është që ILD nuk është ngritur ende dhe më keq akoma, s’ka asnjë sinjal dhe asnjë afat kohor se kur mund të ngrihet si institucion.
Ajo që e bën edhe më të pabesueshëm ndëshkimin e tre gjyqtarëve që “liruan” Dritan Dajtin është edhe fakti që dy nenet (101 dhe 104) të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.34 datë 10 prill 2017. Pikërisht këto dy nene parashikonin shkeljet dhe masat disiplinore ndaj e gjyqtarëve.
Në të tilla rrethana, kërkesa kërkesa e Etilda Gjonajt më shumë sesa efekt ligjor, ka efektin publik e mediatik, pasi ligjërisht KLGJ nuk është e detyruar që ta shqyrtojë atë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.