Mendim

Ngjela: Shqiptarët e shitur të tërhiqen nga kufijtë e Kosovës

Avokat Spartak Ngjela në një analizë të tij thekson se ndryshimi kufijve mes Serbisë dhe Kosovës është fyerje që duan t’u bëjnë shqiptarëve, të cilët janë në kulmin e suksesit të tyre historik.
“Dobësimi i Serbisë është mision historik i shqiptarëve për të neutralizuar në Ballkan një shoqëri që e ka të identifikuar territorin e saj me një krim 200-vjeçar kundër shqiptarëve. Të shiturit e të korruptuarit e Shqipërisë duhet të tërhiqen nga kjo lojë, se do ta kenë më të rëndë akuzën që i pret. Suksesi i arritur po kërkohet me ngulm që të errësohet nga politikat e blera në Shqipëri dhe në Kosovë. Korrupsioni në Tiranë dhe në Prishtinë është hedhur i gjithë kundër interesit shqiptar”, shkruan Ngjela në Facebook.
Në opinionin e tij, avokati vlerëson rolin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos u tërhequr nga vendimi për taksat ndaj mallrave serbe apo dhe për ndryshimin e kufijve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
“Pritej që pavarësia e Kosovës do ta ringjallte realisht patriotizmin shqiptar. Por të huajt grabitqarë në Beograd e kanë ditur këtë. Këtë e dinte edhe Milosheviçi dhe e din edhe Vuçiçi, madje edhe të gjithë të tjerët. Pikërisht në këtë kohë dolën në skenë të korruptuarit e Shqipërisë dhe të Kosovës. Në të vërtetë gjithçka këta e kanë ngritur për interesin e tyre, veçse këtë e di edhe Beogradi edhe Moska. Korrupsioni shqiptar i të dy krahëve kërkon që t’i japë oksigjen Serbisë dhe në këtë mënyrë të ndalojë rikrijimin e një shteti shqiptar ligjor në Tiranë dhe në Kosovë. Një Serbi ende e fortë, u jep këtyre shpresën e destabilizimit të Shqipërisë dhe të Kosovës”, thekson Ngjela.
Sipas tij, kjo po kërkohet sot sidomos në Tiranë, njëlloj si më Çadrën makabër të Berishës, ngritur nga histeria ruso-serbe, por që u prish me ndërhyrjen e politikës amerikan e cila iu vuri krerëve shqiptarë mbi tryezë faktet e konspiracionit rus. Për ndarjen e Kosovës, për Ngjelën po tentohen të krijohen dy rryma njëra që pretendon të fitojë pavarësinë e plotë duke dorëzuar Mitrovicën, dhe tjetra duke ruajtur territorialitetin e Kosovës sipas pavarësisë së saj të shpallur. Dhe se pikërisht kjo mendohet të sjellë përplasjen e dëshiruar nga Rama dhe nga Thaçi.
“Por tani të dy janë në hall se politika perëndimorë kërkon shumicë parlamentare. Asnjë lloj territori nuk mund të shkëmbehet pa Parlamentin dhe Referendumin në Kosovë. Pikërisht këtu do të bjerë ngecje e tyre, dhe pikërisht këtu do të spikasë hapur patriotizmi i kryeministrit të Kosovës dhe shumicës parlamentare në Prishtinë, por edhe patriotizmi i brezit të ri në Shqipëri. Do të vijë një çast kur vendosmëria kastriotiane e kryeministrit Haradinaj do të jetë një fakt historik që do të nisë bashkimin e padiskutueshëm të Arbërisë. Pikërisht kjo po tremb Ramën dhe Thaçin dhe që të dy janë nisur njëri te lobi ruso-serb në Uashington dhe tjetri me brekushe në Riad. Që të dy naivë dhe qesharakë. Kjo sepse sot në Uashington lobi rus është nën hetim, dhe nuk ia jep dot hapur mbështetjen Thaçit. Kurse ky prandaj vërtitet pa thënë një gjë konkrete. Po ç’të duhet o Thaç ziu që futesh në hetimin e FBI-së amerikane! Rama është edhe më kaqol. Po ky nuk bën dot gjë. Në fund, të dyve këtyre iu duhet lexuar vargu i bukur i Homerit te Odisea: “ku shkoni o të mjerë, pse rendni me vrap për të vdekur!””, mbyll opinionin e tij avokat Ngjela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë