Histori

Reforma që e la Institutin e Antropologjisë me një grusht njerëzish

Deri në vitin 2007, kur qeveria shqiptare e asokohe vendosi t’i ndërronte emërtimin nga Instituti i Kulturës Popullore, në Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Artit, ky institucion i rëndësishëm i kulturës dhe historisë së popullit shqiptar, funksionon me një staf prej 22 punonjësish. Me ndryshimin e emërtimit, qeveria do ta shihte të udhës të shkurtonte edhe stafin – atë akademik e ndihmës akademik, nga 49 anëtarë, që ishin para Reformës, edhe pse institutit iu shtuan departamentet. “Si Institut kemi tre departamente dhe pak njerëz e dinë këtë. Është departamenti i Etnologjisë, (më parë i Etnografisë), i Folklorit dhe i Arteve, që iu bashkëngjit më 2007-ën ”, thotë drejtori i këtij instituti, antropologu Nebi Bardhoshi, duke shtuar se çdo departament u tkurr me pesë apo gjashtë punonjës.

U përcaktua nga qeveria, të mos i kalonte të njëzetedy anëtarët, duke përfshirë edhe stafin ndihmës akademik, përgjegjës për arkivat, fondin e etnografisë me objekte dru-metal dhe tekstilet fondi audio-vizual, fototekën, skicotekën, dorëshkrimet, shënimet e terrenit e deri tek përgatitja e materieve për botim. Sipas drejtorit, vendimi është absurd, pasi që të quhet i tillë, një departament duhet të ketë të paktën shtatë njerëz. Ky numër i kufizuar çon edhe në mungesën e një zyre financash apo juridike në institut, madje  edhe numri i studiuesve është reduktuar për të mbajtur stafin ndihmës akademik,  shumë të domosdoshëm.

Historia e institutit zë fill më 1947-ën, kur themelohet  së pari sektori i Etnografisë, në kuadër të Institutit të Shkencave. Më 1960-ën, krijohet edhe  Instituti i Folklorit. Bashkimi në mes studimeve folklorike dhe atyre etnografike ndodh në vitin 1979, duke i dhënë jetë Institutit të Kulturës Popullore, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, edhe ajo e ngritur më 1972-shin. Ndërsa Departamenti i Studimit të Arteve, u krijua në vitin 1994 si pjesë e Akademisë së Shkencave dhe më 2007-ën, pas Reformës së qeverisë shqiptare, bashkëngjitet në atë që sot njihet si Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.

Ka thuajse 12 vjet që ky institut e  vazhdon punën në këto kushte, edhe pse nevoja për studiues në fushën e dijeve humane, është e madhe. E megjithatë studiuesit pranë këtij institucioni vijojnë punën, të fokusuar siç rrëfen Bardhoshi jo vetëm në ruajtjen e traditës në kërkimin historiografik dhe etnografisë, por edhe në studimet mbi periudhën e Komunizmit, me një sërë punësh studimore dhe botimesh, siç  monografia  “Në shenjën e modernitetit”, nga Olsi Lelaj, i cili së bashku me Nebi Bardhoshin do të botojnë së shpejti një tjetër monografi mbi Etnografinë gjatë Komunizmit, si është prodhuar dija etnografike, si është bërë kërkimi në terren dhe si është arkivuar kjo dije.

Jonida Gashi, studiuese në fushën e artit dhe kinemasë merret me kinemanë noir, ndërsa muzikologia  Mikaela Minga ka në fokus të punës së saj  si është kompozuar dhe trajtuar folklori gjatë Komunizmit dhe efektet që ka lënë në muzikë. Blerina Hankollari në punën e saj kërkimore merret me raportin e shtetit ndaj kozmologjisë, ndërsa Ervin Kaçiu në studimin e tij mbi minoritetet, i kushton rëndësi edhe periudhës së komunizmit, ndërsa Ermela Broci trajton muzeografinë komuniste, më konkretisht muzeun ateist. Vetë Bardhoshi është marrë gjatë me studimin e së Drejtës Kanunore; para, gjatë dhe pas komunizmit.

Trilogjia “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, me autor Stefan Çapaliku

Edhe Stefan Çapaliku shef i departamenti të arteve, në trilogjinë romanore, “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, ka në fokus periudhën e Komunizmit. Romani i tretë i kësaj trilogjie , i botuar vetëm pak kohë më parë, rrëfen ngjarjet pas rënies së sistemit komunist, deri në vitet 2000. Edhe periudha post-socialiste, me efektet që solli në shoqërinë shqiptare rënia e komunizmit dhe riartikulimi i  aspekteve të ndryshme të jetës, si ato zakonore, kanunore, besimore, marrëdhëniet e punës apo informaliteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë