Politike

‘Vera e zezë!’, PD: Vrasja e turistit 20-vjeçar, dëshmi e pasigurisë në sezonin turistik

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike e ka cilësuar sezonin turistik të këtij viti si një “verë të zezë” për Shqipërinë, duke akuzuar qeverinë për dështim në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve.

Në një deklaratë, PD rendit vrasjet, zjarret, shpërthimet me tritol dhe rastet e pasigurisë gjatë muajve të verës. Sipas saj, rasti i fundit është vrasja e një 20-vjeçari portugez, i cili ndodhej me pushime në Ksamil dhe do të kthehet në vendin e tij në arkëmort.

Demokratët e cilësojnë ngjarjen si një tjetër dëshmi të dështimit të Policisë së Shtetit në parandalimin e krimit. Sipas PD-së, policia është përqendruar te ndjekja e autorëve pas ngjarjeve, ndërsa ka dështuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Partia Demokratike akuzon gjithashtu qeverinë se i kushton më shumë rëndësi publicitetit sesa sigurisë dhe deklaron se, nëse vjen në pushtet, do të zbatojë një Paketë Anti-Krim gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes.

PD e cilëson vrasjen e turistit si “ditë zie për turizmin shqiptar”, duke theksuar se siguria publike kërkon seriozitet dhe masa konkrete, jo vetëm publicitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë