Politike

PD nuk e njihte Shabanin si Avokat të Popullit, por i kërkon të hetojë për ‘Smart City’-n

Gazeta Si – Partia Demokratike duket se më në fund e ka njohur Endrit Shabanin si Avokat të Popullit, zgjedhje të cilën e refuzuan dhe as nuk e votuan në Kuvend.

Sekretari për të drejtat e njeriut në PD, Franc Nuri, i është drejtuar Avokatit të Popullit me një shkresë zyrtare, duke i kërkuar që nisjen e një hetimi të posaçëm mbi ndikimin e projektit “Smart City”.

Ironike ka qenë kthimpërgjigjja e Shabanit, i cili ndër të tjera deklaron: “Faleminderit që besoni në legjitimitetin e institucionit”.

Në shkresën zyrtare, Avokati i Popullit njofton PD-në, jo vetëm se kërkesa e saj është pranuar, por dhe hapat që zyra e tij tij ka vendosur të ndërmarrë.

Objekti i hetimit do të jetë vlerësimi i përputhshmërisë së projektit “Smart City” me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e jetës private dhe të të dhënave personale, duke iu referuar Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Partia Demokratike në janar të këtij viti çoi në Gjykatën Kushtetuese procedurën e zgjedhjes së Endrit Shabanin si Avokat i Popullit.

Demokratët kundërshtuan rrugën e ndjekur nga Kuvendi në fund të vitit të kaluar, duke akuzuar PS-në se ka shkelur ligjin dhe prishur traditën e zgjedhjes së një Avokati të Popullit nga radhët e opozitës.

Sipas PD, deputetët e opozitës i kishin tërhequr firmat për mbështetjen e Endri Shabanit përpara se ai të kalonte për votim në Parlament, akt i cili nuk u pranua nga socialistët me argumentin se ishte bërë përtej afateve të parashikuara me ligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë