Gazeta Si – Edi Rama ka kritikuar qëndrimin e mbajtur nga “miku i tij” Volodimir Zelenski lidhur me dklaratën e bërë nga Beogradi për mosnjohjen e Kosovës.
Por në një postim në rrjetet sociale, kryeministri thekson se mbështetja e Shqipërisë për Ukrainën nuk kushtëzohet nga qëndrimet politike të Kievit.
Sipas Ramës, qëndrimi kundër agresionit rus dhe në mbështetje të Ukrainës nuk mund të shihet si një marrëdhënie ku palët duhet t’i kthejnë njëra-tjetrës favore politike.
“Liria nuk është një marrëdhënie shkëmbimi”, shkruan Rama, duke argumentuar se mbështetja ndaj një vendi që përballet me luftë nuk duhet të tërhiqet për shkak të një qëndrimi të tij në një çështje tjetër.
Kryeministri pranon se Ukraina mund të ketë një qëndrim të gabuar për Kosovën, por thekson se kjo nuk e ndryshon, sipas tij, të drejtën e popullit ukrainas për të qenë i lirë.
“Ukraina mund të jetë, dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme”, shprehet Rama.
Ai shton se Shqipëria duhet të jetë në gjendje të mbajë njëkohësisht dy qëndrime: të kundërshtojë pozicionin e Ukrainës për Kosovën dhe të vijojë mbështetjen për Ukrainën në përballjen me agresionin rus.
Në përfundim të reagimit, Rama thekson se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Ukrainës, duke e mbyllur mesazhin me sloganin: “UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje