Rend dhe Ligj

Përleshja me thika në burgun e Fierit, pezullohen nga detyra 8 gardianë

Gazeta Si – Tetë punonjë të policisë së Burgut të Fierit, janë pezulluar nga detyra pas përleshjes në qeli mes Denis Bajrit, Aldo Gjinit dhe Jurgen Zotos.

Të pezulluarit, konkretisht kryeinspektori dhe 7 gardianë, ndodheshin në turn gjatë kësaj kohe. Pezullimi “do të vazhdojë deri në përfundimin e hetimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente mbi zbatimin e detyrave funksionale nga këtë punonjës. Gjatë kësaj kohe, ata do të marrin gjysmën e pagës.

Sipas njoftimit të Burgjeve bëhet e ditur se punonjësit e pezulluar janë:

K/Inspektori G.B., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;

Inspektori Sh.H., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;

Inspektori A.A., punonjës i rolit bazë;

Inspektori D.GJ., punonjës i rolit bazë;

Inspektori A.H., punonjës i rolit bazë;

Inspektori P.K., punonjës i rolit bazë;

Inspektori S.Ç., punonjës i rolit bazë;

Inspektori A.S., punonjës i rolit bazë.

Ndërkohë, nga hetimet e Prokurorisë së Fierit për përplasjen mes tre të paraburgosurve dyshohet  që ngjarja të jetë e porositur dhe të lidhet me përplasjet mes grupeve rivale.

Në konflikt u përdor një thikë artizanale, e ndërtuar nga një shirit ene metalike e mprehur në formën e tehut dhe e fiksuar në një bisht druri.

Gjatë dëshmisë paraprake, Denis Bajri (Brajovic) ka pretenduar se është sulmuar me thikën e improvizuar nga Jurgen Zoto, me porosi të Ibrahim Licit, person në kërkim nga drejtësia.

Sipas dëshmisë së Bajrit, ai ishte thirrur për takim nga Aldo Gjini, i cili kishte shkuar së bashku me Zoton. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se fillimisht tre personat janë takuar dhe përshëndetur normalisht, për t’u zhvendosur më pas në një ambient tjetër, ku edhe ka ndodhur përleshja.

Bajri ka deklaruar se Zoto e ka sulmuar me thikën e improvizuar, por më pas ka mundur t’ia marrë nga dora. Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zoto kanë mbetur të plagosur dhe u transportuan për ndihmë mjekësore.

Pas ngjarjes, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka vendosur masën e izolimit për tre muaj ndaj Aldo Gjinit dhe Jurgen Zotos. Gjini është transferuar në burgun e Drenovës, ndërsa Zoto në burgun e Burrelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë