Rend dhe Ligj

Objekti po ndërtohej pa leje në Qeparo, pezullohet nga detyra zinxhiri komandues në Komisariatin e Himarës

Një objekt me 5 kate në proces ndërtimi, i gjithi pa leje, u zbulua nga shërbimet e komisariatit të policisë së Himarës, në vendin e quajtur Sugë në Qeparo.

Policia arrestoi në flagrancë pronarin e objektit, L.B., 39 vjeç, banues në Laç. Për shpërdorim të detyrës, u shpallën në kërkim kryeinspektori i IMT në Himarë dhe 2 inspektorë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra të gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar objekti.

Pezullimi i menjëhershëm nga detyra është bërë për katër punonjësit e Policisë :

Nënkomisar Ferit Merkaj, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;

-Komisar Emiljano Prenga, ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;

– Nënkomisar Klodjan Petani, ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;

– Inspektor Redin Çaushaj, me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.

Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se L. B., kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë