Politike

Berisha: Reforma territoriale, platformë e Ramës për shpopullimin

Gazeta Si – Duke folur për situatën politike në vend dhe protestat kundër qeverisë, Sali Berisha tha se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë dhe akuzoi qeverinë e Edi Ramës për korrupsion, keqmenaxhim dhe përqendrim të pushtetit.

Sipas tij, një qeveri që nuk lufton korrupsionin, por e mbron atë, humbet legjitimitetin para qytetarëve.

Berisha u ndal edhe te protestat që, sipas tij, kanë vijuar prej 70 ditësh në Tiranë. Ai tha se qytetarët kanë protestuar kundër korrupsionit, politikave të qeverisë, problemeve të mjedisit dhe shpopullimit të vendit.

“Kjo qeveri nuk ka asnjë legjitimitet sepse prej 70 ditësh, në një protestë epike për Shqipërinë dhe Europën, dhjetëra, qindra, mijëra qytetarë shqiptarë kanë protestuar dhe vazhdojnë të protestojnë në rrugë dhe sheshet e Tiranës për orë të tëra”, u shpreh ai.

Një pjesë të fjalës së tij Berisha ia kushtoi edhe Reformës Territoriale. Ai e akuzoi qeverinë se përmes ndryshimeve territoriale ka centralizuar pushtetin dhe ka dobësuar qeverisjen vendore.

Kryedemokrati theksoi se mbyllja ose bashkimi i njësive vendore ka sjellë mungesë shërbimesh dhe ka ndikuar në largimin e banorëve nga zonat e tyre.

Ai e cilësoi atë si një “platformë për shpopullimin” dhe largimin e shqiptarëve nga vendi, e cila reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore në 61 bashki, dëmtoi decentralizimin dhe solli, sipas tij, mungesë shërbimesh për qytetarët.

“Edi Rama nuk ka më legjitimitet dhe qeveria e tij, siç faktoi me hartën elektorale, me hartën e ndarjes së pushtetit lokal. Këto vite faktuan për shqiptarët se ndarja territoriale e vitit 2014 që shkurtoi, pakësoi nga rreth 400 njësi të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, në 61 njësi, ishte goditja më e fuqishme që iu bë parimit demokratik të decentralizimit. Por ishte gjithashtu platforma më e egër për shpopullimin e Shqipërisë dhe largimin, dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, për mungesë shërbimesh, për bojkot total të tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë