Politike

Aeroporti i Vlorës, Berisha: Shqipëria do gjobitet 500 mln euro për zgjidhjen e kontratës

Gazeta Si – Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun për prishjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke paralajmëruar pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar.

Në një deklaratë për mediat, kreu i PD, tha se qytetarët shqiptarë do të përballen me një faturë që do të jetë të paktën 500 milionë euro, nëse kompania e Behgjet Pacollit do ta çojë në arbitrazh, ashtu siç ka paralajmëruar.

Berisha theksoi se zgjidhja e kontratës do të bëhet me qëllim që kryeministri Edi Rama, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla dhe ish-zv.kryeministrja, Belinda Balluku t’i marrin biznesmenit Behgjet Pacolli aksionet, të cila nuk pranoi t’i dorëzojë pas presionit.

“Shqiptarët për pasurimin e Edi Ramës dhe lubi Ballukut, për plaçkitjen nga ana e tyre të të paktën 130 milionë eurove, po prishin një kontratë për të cilën garantojnë qytetarët e këtij vendi se do gjobiten më së paku 500 milionë euro. Po prishin një kontratë dhe po prishin kontratën vetëm e vetëm se e panë që Behgjet Pacolli nuk ka ndërmend që t’u njohë atyre aksionet që këta pretendojnë se kompania turke ia ka dorëzuar Pacollit në pronësi të tyre. Pra këtu është një treshe faqezezë, Edi Rama, Lubi Balluku dhe Taulant Balla që kanë përdorur ortakun tjetër të ndërtimit, për t’ja marrë Pacollit aksionet. Pacolli aksionet nuk i jep. Është biznesmen me eksperiencë dhe duket se nuk plotëson kërkesat e tyre për pazar. Janë më qesharaket në botë proceset ndaj kësaj dosje. Dhe dëshmia që Pacolli ka bërë, si u thirr nga Belinda dhe si Belinda u veçua me biznesmenin turk, dëshmojnë qartësisht se Rama-Balluku dhe Taulanti janë pretendentët më kryesorë që turku ka dorëzuar”, tha mes të tjerash Berisha.

Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e mëparshme të Belinda Ballukut për projektin e aeroportit, duke ironizuar premtimin se Vlora do të kishte “aeroportin më të madh në Ballkan”.

Kreu i PD, akuzoi më pas qeverinë Rama se i ka disbursuar 8,5 milionë euro biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar para pak ditësh në Francë dhe i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen “AKSHI”.

Berisha theksoi se Beqiraj është “de facto” presta-nome i interesave të kryeministrit Rama. “Së fundmi, Edi Rama urdhëroi dhe ministren e Financave t’i disbursojë 8.5 milionë euro për t’i dëshmuar Ermal Beqirajt se nuk ka vepër penale, se nuk ka urdhër arresti, se nuk ka urdhër ekstradimi që mund të pengojë, mund të bllokojë rolin e tij si ‘prestanome’, si përfaqësues, si ndërmjetës i Edi Ramës në fushën e tij të suksesit, siç kishte shpallur ai AKSHI-n, kopshtin e tij privat, – tha ai. – Dënoj me forcën më të madhe këtë akt, si dhe mosbllokimin e kompanive të tij nga organet e drejtësisë, të cilat në një inerci bashkëpunimi, jo vetëm në këtë rast, por dhe në raste të tjera nuk kryejnë veprimet që urdhëron ligji”.

Berisha dënoi me ashpërsi edhe vendimin për shpalljen “non grata” dhe ndalimin e hyrjes në Shqipëri të gazetarit nga Maqedonia e Veriut, Valon Bela.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë