Gazeta Si – Dy shqiptarë të tjerë, nga Maqedonia e Veriut, janë shpallur “non grata” nga Ministria e Brendshme, pasi dyshohet se kryenin veprimtari armiqësore kundër shtetit shqiptar.
Sipas burimeve, pas propozimit të Drejtorisë së Antiterrorit, ministria e Brendshme ka futur në listën e personave të padëshiruar imamin, Bekir Halimi, si edhe politikanin dhe analistin, Valon (Valjon) Belja.
Më herët, ministria e Brendshme ka shpallur person të padëshiruar edhe Ikballe Huduti (Berisha), e cila u shfaq edhe në protestat para kryeministrisë. Për Halimin dhe Beljan ende nuk dihen argumentet për shpalljen e tyre “non-grata”.
Ky vendim i fundit është firmosur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari pas informacioneve të përcjella nga shërbimet informative të shtetit, ku bëhet fjalë për lidhje të Valon Belas dhe Bekir Halimit me veprimtari që përbëjnë rrezik dhe kërcënim për vendin.
Pas vendimit të autoriteteve shqiptare, Valon Bela, ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale. Sipas tij, dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon të populli.
Bela ka falënderuar personat që e kanë mbështetur pas njoftimit për vendimin dhe ka kundërshtuar arsyetimin e shpalljes së tij si i padëshiruar.
Sipas tij, vlerësimi për një person nuk mund të përcaktohet vetëm nga një vendim administrativ, ndërsa ka ngritur pyetje mbi mesazhin që një masë e tillë i dërgon kujtesës kombëtare.
Ai ka përmendur edhe të kaluarën e tij dhe kontributet në çështjet kombëtare shqiptare, duke u shprehur se shqiptarët nuk janë ndarë në “brenda” dhe “jashtë” kufijve kur kanë qenë në pyetje interesat kombëtare.
Në reagimin e publikuar, Bela ka kritikuar qeverinë shqiptare për qëndrimet ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje