Politike

Rriten kapacitetet e ushtrisë/ Rama: Një ditë do kemi prodhime ‘Made in Albania’ për SHBA-në

Nga Gazeta ‘Si’- Forcat e Armatosura kanë marrë sot në dorëzim 40 mjetet e para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s nga kompania “Timak Defence”.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Edi Rama tha se ajo që ishte parashikuar në strategjitë e mbrojtjes tashmë është një realitet konkret, pasi Shqipëria ka nisur prodhimin vendas për nevojat e ushtrisë.

“Ajo që ishte e shkruar në strategji, sot është parë me sy. Flota e prodhuar në Shqipëri, sipas standardeve të NATO-s dhe nga profesionistë shqiptarë, sapo ka filluar të vihet në dispozicion të ushtrisë shqiptare. Është një ditë e jashtëzakonshme”, u shpreh Rama.

Rama deklaroi se Forcat e Armatosura për vite me radhë janë mbajtur nga përkushtimi i ushtarakëve, ndërsa sipas tij, mungonin investimet dhe kapacitetet e nevojshme.

Ai kritikoi mënyrën e mëparshme të sigurimit të pajisjeve dhe logjistikës, duke u shprehur se Shqipëria tashmë po hyn në një fazë të re, ku nuk do të jetë vetëm përdoruese e teknologjisë, por edhe zhvilluese e kapaciteteve prodhuese.

“Historitë e tenderave dhe të blerjes së makinerive ishin historia e përditshme e shtetit shqiptar në të gjitha institucionet. Sot jemi dëshmitarë që kemi hyrë në një fazë të re, të një Shqipërie e cila nuk është vetëm përdoruese e teknologjisë, por përdoruese e kapaciteteve të teknologjisë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, ky zhvillim është rezultat i një strategjie të re që solli krijimin e kompanisë shtetërore “KAYO”, e cila synon të shërbejë si pikë lidhëse për partneritetet në industrinë e mbrojtjes.

Rama theksoi se Shqipëria nuk synon të blejë nga jashtë produkte që mund të prodhohen brenda vendit, ndërsa kërkoi që kompanitë e huaja që investojnë në Shqipëri të jenë pjesë e partneriteteve me shtetin shqiptar.

“Ne nuk jemi të prirur të blejmë nga jashtë asgjë që mund të prodhojmë këtu. Çdo kompani që vendos të vijë në Shqipëri duhet të jetë palë me shtetin shqiptar”, deklaroi kryeministri.

Duke folur për planet e ardhshme, Rama tha se objektivi është që deri në vitin 2028 ushtria shqiptare të pajiset me të gjitha mjetet dhe kapacitetet e nevojshme, nga automjetet më të lehta deri te sistemet më të avancuara të armatimit, sipas standardeve të NATO-s.

“Plani ynë, brenda vitit 2028, ushtria shqiptare do t’i ketë të gjitha mjetet, kapacitetet, që nga makina më e lehtë deri tek armët më të sofistikuara. Do të ketë flotë mjetesh sipas standardeve të NATO-s”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria ka lidhur marrëveshje me kompani të mëdha të industrisë ushtarake dhe se në të ardhmen pritet që në vend të ekspozohen produkte të prodhuara në Shqipëri, të cilat sipas tij mund të përdoren edhe nga ushtri të vendeve aleate.

“Kemi marrëveshje me kolosë të industrisë ushtarake dhe mos u çudisni kur një ditë të vijmë përsëri këtu dhe të ekspozojmë gjëra të prodhuara këtu të cilat do t’ia japim edhe ushtrisë më të madhe të botës, ushtrisë amerikane prodhime “Made in Albania””, tha ai.

Rama përmendi gjithashtu zhvillimin e kapaciteteve vendase edhe në sektorë të tjerë të emergjencave civile, duke thënë se po prodhohen mjete të reja zjarrfikëse dhe se synohet krijimi i një flote moderne sipas standardeve europiane.

“14 zjarrfikëset e reja po prodhohen sot nga IMAK. Do të ndërtojmë flotë zjarrfikësish njësoj si flota e ushtrisë. Do t’i kemi të gjitha zjarrfikëset sipas standardeve të BE-së, po ashtu edhe autoambulancat. Mirëmbajtjen do ta bëjmë këtu”, deklaroi ai.

Dorëzimi i 40 mjeteve taktike nga “Timak Defence” shënon fillimin e një procesi më të gjerë për zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në Shqipëri.

Kompania “Timak Defence”, e cila nisi si një sipërmarrje shqiptare, është kthyer në një partner prodhues në sektorin e mbrojtjes përmes bashkëpunimit me kompaninë shtetërore KAYO, të krijuar për zhvillimin e partneriteteve në këtë fushë.

Sipas autoriteteve, synimi është që prodhimi vendas në industrinë e mbrojtjes të mos kufizohet vetëm në përmbushjen e nevojave të Forcave të Armatosura, por të krijojë edhe mundësi për eksport drejt vendeve aleate dhe partnere.

Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur gjithashtu se procesi i pajisjes së ushtrisë do të vijojë, ndërsa deri në fund të vitit pritet dorëzimi i 40 deri në 50 automjeteve të tjera taktike.

Dorëzimi i 40 mjeteve të para shënon një nga hapat e parë të një projekti më të gjerë për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese në industrinë shqiptare të mbrojtjes dhe krijimin e një modeli të ri të prodhimit vendas në këtë sektor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë