Politike

Administrata e Klosit bojkoton punën, kundërshtohet shkrirja e bashkisë

Nga Gazeta ‘Si’– Plani i ri i mazhorancës për reformën administrativo-territoriale ka nxitur kundërshti në disa bashki të vendit.

Në Klos, punonjësit e bashkisë kanë ndërprerë punën dhe kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar mundësinë e përfshirjes së qytetit në skemën e bashkimeve territoriale.

Përfaqësues të administratës vendore kërkojnë që vendimi për riorganizimin e bashkive të rishikohet, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara prekin funksionimin dhe identitetin e njësisë vendore.

Protestuesit kanë bërë të ditur se do të vijojnë bojkotin e punës edhe në ditët në vijim, deri në një reagim të institucioneve qendrore për kërkesat e tyre.

Përplasje të ngjashme priten edhe në Belsh e Prrenjas, ku banorë dhe punonjës të administratave vendore kanë paralajmëruar reagime ndaj planit të shkrirjes së bashkive.

Ndërkohë, pak ditë më parë tensione pati edhe në Poliçan.

Disa anëtarë të Partisë Socialiste dogjën teserat e anëtarësisë në shenjë proteste, ndërsa drejtuesi lokal i kësaj force politike dha dorëheqjen gjatë tubimit.

Reforma administrativo-territoriale është rikthyer në qendër të debatit politik, me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike që kanë hedhur në tavolinë dy modele diametralisht të kundërta për organizimin e pushtetit vendor.

Deputetët e grupit parlamentar të PS-së kanë depozituar në Kuvend projektligjin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, i cili synon riorganizimin më të thellë të pushtetit vendor që nga reforma e vitit 2014.

Paralelisht, Partia Demokratike ka shpërndarë draftin e saj, që propozon një hartë krejt tjetër administrative me 100 bashki dhe 6 rajone, në vend të modelit aktual me 61 bashki.

Modeli i PS-së: 46 bashki dhe një nivel i ri “Qyteti”

Sipas projektligjit të depozituar nga mazhoranca, numri i bashkive do të reduktohet nga 61 në 46, ndërsa 12 qarqet do të mbeten të pandryshuara.

Risia kryesore e reformës është krijimi i një niveli të ri organizimi, “Qyteti”, i cili vendoset ndërmjet bashkisë dhe njësisë administrative.

Në total, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative, me synimin për të përmirësuar përfaqësimin lokal dhe koordinimin e shërbimeve publike.

Projektligji parashikon bashkimin e 28 bashkive ekzistuese në 13 bashki të reja. Ndër to janë bashkimi i Dimalit dhe Poliçanit me Beratin, Klosit me Matin, Cërrikut dhe Belshit me Elbasanin, Prrenjasit me Librazhdin, Patosit me Fierin, Divjakës me Lushnjën, Maliqit me Korçën, Selenicës me Vlorën, Libohovës me Gjirokastrën, Memaliajt me Tepelenën, Këlcyrës me Përmetin dhe Fushë-Arrëzit me Pukën.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm prek zonën metropolitane të Tiranës, ku drafti parashikon që Rinasi t’i bashkohet Bashkisë së Tiranës, ndërsa Bashkia Vorë të mbetet njësi më vete.

Nëse projektligji miratohet, zgjedhjet vendore të vitit 2027 do të zhvillohen për herë të parë sipas hartës së re administrativo-territoriale.

Modeli i PD-së: rikthim në 100 bashki

Ndryshe nga mazhoranca, Partia Demokratike propozon një zgjerim të ndjeshëm të pushtetit vendor.

Drafti i hartuar nga ekspertët e PD-së dhe i shpërndarë deputetëve nga bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luciano Boçi, parashikon 100 bashki të organizuara në 6 rajone.

Në mesazhin drejtuar deputetëve demokratë thuhet: “Me miratim të Kryetarit të PD dhe të Kryetarit të grupit ju përcjell listën e bashkive (100) të paraqitur në raport nga ekspertët tanë.”

Sipas draftit, vendi do të organizohej në rajonet Shkodër-Lezhë, Dibër-Kukës, Tiranë-Durrës, Elbasan-Korçë, Fier-Berat dhe Vlorë-Gjirokastër, ndërsa në shumë qarqe propozohet rikrijimi i bashkive që u shkrinë me reformën e vitit 2014.

Në qarkun e Tiranës, për shembull, PD propozon rikthimin e bashkive si Petrela, Kashari, Dajti, Arbana dhe Ndroqi, ndërsa në Durrës krijimin e bashkive Sukth dhe Fushë-Krujë.

Dy vizione të kundërta

Dy draftet paraqesin dy filozofi të ndryshme për organizimin territorial të vendit.

Mazhoranca synon konsolidimin e bashkive, uljen e numrit të tyre dhe krijimin e një niveli të ri administrativ me status ligjor, ndërsa opozita propozon decentralizim më të madh, duke rritur numrin e bashkive dhe duke rikthyer një pjesë të njësive të shkrira me reformën territoriale të vitit 2014.

Projektligji i Partisë Socialiste pritet të nisë procedurat parlamentare në Kuvend, ndërsa drafti i Partisë Demokratike pritet të shërbejë si baza e amendamenteve dhe qëndrimit të opozitës gjatë debatit për reformën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë