Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar në selinë e PD-së, foli në lidhje me reformën territorial ku tha se Rama po përdor shumicën në parlament për të përqendruar akoma më shumë pushtetin e tij.
“Ky takim lidhet me reformën territoriale. Ne u angazhuam në proces jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam. Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira. Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Evropian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri”, tha Berisha, duke shtuar se nuk kishte diskutim që Edi Rama do t’i shfrytëzojë mandatet për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij.
“Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet, dhe nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale. Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre. Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij”, tha Berisha.
Si shtoi se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum.
“Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët. Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive. Është një situatë pra në të cilën mendova të këshillohem edhe me ju për këtë çështje të rëndësishme”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje