Politike

Berisha kundër reformës territoriale të socialistëve: PD kërkon 100 bashki

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për reformën administrativo-territoriale, duke kundërshtuar propozimet e mazhorancës për riorganizimin e hartës së bashkive në vend.

Në një konferencë për mediat, ku ishte i shoqëruar nga deputeti Luçiano Boçi, Berisha tha se alternativa e demokratëve parashikon një Shqipëri me 100 bashki, ndryshe nga plani i Partisë Socialiste për reduktimin e numrit të njësive vendore.

Sipas Berishës, ndryshimet e propozuara nga qeveria synojnë përqendrimin e pushtetit vendor, duke e lidhur këtë me interesa politike dhe ekonomike.

“Do të reduktojë bashkitë në vendin më malor të Europës, ta përqendrojë në pëllëmbën e tij të zezë të dorës, për qëllime shpopullimi e pasurimi”, deklaroi Berisha, duke drejtuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.

Kreu i demokratëve përshëndeti gjithashtu reagimet e banorëve të Poliçanit kundër ndryshimeve territoriale, duke i cilësuar ata si “patriotë të vërtetë”.

Reforma territoriale ka sjellë përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat kanë paraqitur propozime të ndryshme për ndarjen e re administrative të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë