Nga Gazeta ‘Si’- Hamasi ka pranuar planin për fazën e dytë të armëpushimit në Gaza, i cili parashikon çarmatimin gradual të grupit dhe të organizatave të tjera të armatosura palestineze, si pjesë e një procesi më të gjerë për përfundimin e luftës.
Këtë e konfirmoi një zyrtar i lartë i Hamasit, ndërsa një deklaratë zyrtare e lëvizjes pritet të publikohet së shpejti.
Sipas burimeve të përfshira në negociata, Hamasi ka bërë të qartë se zbatimi i çarmatimit do të varet nga përmbushja e disa kushteve, përfshirë tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës, ndalimin e operacioneve ushtarake dhe shtimin e ndihmës humanitare për territorin palestinez.
Plani parashikon që armët e rënda të Hamasit të vendosen nën kontrollin e një komiteti palestinez të përbërë nga teknokratë, ndërsa administrimi i Gazës t’i kalojë një autoriteti të ri palestinez.
Procesi do të zhvillohet në faza dhe do të monitorohet ndërkombëtarisht.
Megjithatë, mbeten ende pa zgjidhje disa çështje kyçe, si mënyra e dorëzimit të armëve, shkatërrimi i rrjetit të tuneleve dhe mekanizmat e verifikimit të marrëveshjes.
Një zyrtar i Hamasit theksoi se grupi nuk ka pranuar dorëzimin e armëve drejtpërdrejt Izraelit dhe se çdo hap do të lidhet me përmbushjen e detyrimeve nga pala izraelite.
Deri tani, Izraeli nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj zhvillimit të fundit dhe nuk ka konfirmuar nëse do të pranojë kushtet e fazës së dytë të marrëveshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje