Nga Gazeta ‘Si’- A po ndiheni të irrituar, të stresuar ose po neglizhoni detyrimet në punë, shkollë apo marrëdhënie? Arsyeja mund të jetë koha e tepërt që kaloni online, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore PLOS One.
Kërkimi, i kryer me rreth 900 të rritur gjermanë, zbuloi se personat që përdorin internetin në mënyrë problematike kanë më shumë stres, humor më të keq dhe kanë më shumë gjasa të lënë pas dore fusha të tjera të jetës së tyre.
Përdorimi problematik i internetit përkufizohet si përdorimi i tepërt i aplikacioneve apo platformave online, deri në pikën që shkakton shqetësim emocional ose ndikon negativisht në jetën e përditshme.
“Stresi dhe humori negativ çojnë në një tundim më të madh për të përdorur internetin”, tha Andreas Oelker, doktorant në Universitetin Duisburg-Essen në Gjermani dhe autori kryesor i studimit. Por përdorimi i tepruar i internetit mund ta përkeqësojë më tej situatën, shtoi ai.
Studiuesit thonë se ky fenomen ende nuk klasifikohet si një çrregullim më vete, por mund të ketë nevojë për një vlerësim të tillë në të ardhmen. Një kufizim i studimit është se ai analizoi vetëm të rriturit dhe nuk tregon nëse të njëjtat efekte ndodhin edhe te fëmijët.
Pse koha e tepërt para ekranit ndikon në humor?
Ekspertët thonë se lidhja mes përdorimit të tepërt të ekraneve dhe humorit të keq është e kuptueshme për disa arsye.
Kur kalojmë orë të gjata duke lëvizur në telefon, zakonisht jemi më pak aktivë fizikisht, gjë që ndikon në shëndetin dhe mirëqenien tonë. Shikimi i vazhdueshëm i ekraneve nga afër është gjithashtu stimulues dhe mund të shkaktojë lodhje.
Për më tepër, gjatë përdorimit të internetit shpesh kalojmë nga një aktivitet te tjetri- mesazhe, email-e, rrjete sociale- duke e mbingarkuar trurin.
Rrjetet sociale mund të ndikojnë edhe në mënyrën si e perceptojmë veten, pasi krahasimi me jetët e kuruara dhe të filtruara që shohim online mund të krijojë ndjenja pakënaqësie.
Ekspertët kujtojnë gjithashtu se marrëdhëniet shoqërore janë thelbësore për shëndetin mendor dhe zakonisht ndërtohen më mirë përmes kontakteve reale, jo vetëm online.
Identifikoni çfarë ju shtyn të përdorni internetin
Sipas psikologëve, përdorimi problematik i internetit ka ngjashmëri me varësitë, çrregullimet e të ngrënit dhe çrregullimin obsesiv-kompulsiv, pasi shpesh ndodh në mënyrë automatike.
Psikologia klinike Parin Kamdar shpjegon se shumë njerëz fillojnë të përdorin telefonin apo internetin përpara se të kuptojnë se po e bëjnë këtë.
Ajo rekomandon identifikimin e situatave që nxisin këtë sjellje:
- A e merrni telefonin pas një konflikti me partnerin apo shefin?
- A i drejtoheni ekranit kur ndiheni të lodhur, të stresuar apo të mbingarkuar?
Sipas saj, sapo një person kupton momentin kur lind dëshira për t’u futur online, bëhet më i aftë për ta kontrolluar atë.
Çfarë të bëni kur tundoheni të hyni online?
Ekspertët sugjerojnë të shtyhet për pak minuta momenti i hyrjes në internet.
Kur ndjeni dëshirën për të përdorur telefonin për t’u larguar nga stresi, provoni të prisni pesë minuta dhe gjatë kësaj kohe bëni diçka tjetër: ushtrime fizike, dëgjoni muzikë ose relaksohuni.
Më pas, mund ta zgjasni gradualisht këtë periudhë pritjeje.
Një tjetër mënyrë është krijimi i intervaleve pa ekran gjatë ditës – për shembull, një pasdite fundjave pa internet, me aktivitete si lojëra familjare, shëtitje apo kohë në natyrë.
Ekspertët thonë se njerëzit që arrijnë të reduktojnë kohën në ekran shpesh raportojnë se ndihen më të lumtur, më të pranishëm dhe kanë më shumë kohë për aktivitetet që lidhen me mirëqenien: lëvizjen, natyrën, familjen dhe miqtë.
“Edhe nëse dëshira për t’u futur online nuk zhduket plotësisht, intensiteti dhe ndikimi i saj zvogëlohen”, tha Kamdar. “Ajo bëhet thjesht një mendim që mund të vërehet dhe të largohet, në vend që të kontrollojë sjelljen tonë.”
Sipas saj, edhe terapia mund të ndihmojë njerëzit që e kanë të vështirë të kontrollojnë përdorimin e internetit.
Përdorimi i internetit si mënyrë për t’u përballur me stresin dhe emocionet negative mund të krijojë një rreth vicioz. Ekspertët sugjerojnë gjetjen e mënyrave më të shëndetshme për t’u përballur me stresin dhe rikthimin e kohës tek aktivitetet që sjellin kënaqësi reale./ CNN
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje