Bota

Tërmeti 7.1 ballë godet Japoninë, dhjetëra të vdekur dhe shembje ndërtesash

Gazeta Si – Shpërthime dhe shembje kanë ndodhur në prefekturën Kumamoto të Japonisë pas një tërmeti me magnitudë 7.1 ballë të shkallës Rihter.

Brenda qendrës tregtare “Aeon Mall” në Kumamoto, tërmeti thuhet se shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, i cili bëri që kati i dytë i ndërtesës – i mbushur me njerëz në ato momente – të shembej.

Sipas transmetuesit TBS, ka një “numër të konsiderueshëm viktimash” dhe besohet se shumë njerëz të tjerë kanë mbetur të bllokuar brenda ndërtesës.

Videot që qarkullojnë në internet tregojnë tym të dendur e gri që del nga ndërtesa, ndërsa dhjetëra njerëz largohen me shpejtësi.

Pamjet nga ajri zbulojnë se pjesë të ndërtesës janë shkatërruar plotësisht. Prefektura e Kumamotos ishte goditur rëndë dhjetë vite më parë nga dy tërmete – me magnitudë 6,5 dhe 7,3 – të cilët shkaktuan humbjen e 270 jetëve.

Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar, ndërsa popullata mbetet në gatishmëri për pasgoditje të mundshme.

Pas tërmetit, rreth 300,000 njerëzve u është kërkuar të evakuohen në qendra të caktuara, sipas gazetës Guardian”, e cila citon agjencinë e menaxhimit të emergjencave.

Banorët në zonat ku u ndien lëkundjet më të forta duhet të qëndrojnë vigjilentë për pasgoditje të tjera të fuqishme gjatë javës në vijim, si dhe për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut, deklaroi një zyrtar i Agjencisë Meteorologjike të Japonisë.

Tërmeti e pati epiqendrën në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, e cila lëshoi ​​dhe më pas hoqi një paralajmërim për cunami, si dhe e vlerësoi intensitetin e tërmetit me shkallën 7 në shkallën sizmike japoneze – niveli më i lartë.

Nuk u konstatuan anomali të menjëhershme në termocentralet bërthamore aty pranë pas tërmetit, raportoi Autoriteti Rregullator Bërthamor i vendit.

Kompania lokale e energjisë, “Kyushu Electric Power”, deklaroi se tre reaktorët bërthamorë që operojnë në rajon vazhduan të funksiononin normalisht.

Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi njoftoi se janë raportuar lëndime dhe shembje ndërtesash pas tërmetit.

Sipas transmetuesit NHK, të paktën 50 persona janë shtruar në spital. Gjithashtu u raportua shembja e 12 shtëpive, me katër raste ku njerëz mbetën të bllokuar brenda.

Në vitin 2016, Kumamoto u godit nga një tërmet shkatërrues që shkaktoi mbi 50 viktima dhe 1,800 të lënduar, si dhe shkatërroi dhjetëra mijëra shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë