Nga Gazeta ‘Si’-Protestuesit kanë mbërritur rreth orës 09:00 pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ku zhvillohet protesta e 58-të qytetare, ndërsa zona është blinduar nga Policia e Shtetit me masa të shtuara sigurie.
Forca të shumta policore kanë rrethuar Parlamentin, ndërsa rrugët hyrëse drejt godinës janë bllokuar me kordone sigurie dhe barriera.
Policia ka vendosur efektivë në disa pika kyçe, përfshirë kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, zonën pranë Galerisë së Arteve dhe Ministrisë së Brendshme.
Sipas burimeve pesë të shoqëruar deri më tani nga përplasjet mes protestuesve dhe policisë pranë Xhamisë së Namazgjasë. Mes të shoqëruarve është edhe njëri nga anëtarët e grupit organizator të protestës, Arben Kola.
Kola është kapur nga 4 policë që e mbajnë nga krahët e këmbët, kurse Kola ka ende megafonin në dorë.

Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur thirrje kundër institucioneve dhe klasës politike, mes të cilave “Parlamenti i krimit” dhe “Revolucion”.
Pas qëndrimit për rreth 45 minuta përpara Kuvendit, duke parë kordonet policore, masat e shtuara të sigurisë dhe bllokadën e krijuar pranë Parlamentit, protestuesit kanë nisur një marshim drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ata janë vendosur përballë hyrjes së Kuvendit, nga ana e Galerisë së Arteve në Tiranë, ku vijojnë protestën e tyre.
Ndërkohë, edhe drejtues të automjeteve kanë shprehur solidaritet me protestuesit, duke i rënë borive gjatë kalimit në zonën ku po zhvillohet tubimi.
Masat e sigurisë janë shtuar nga policia për t’i paraprirë situatave të mëparshme gjatë protestave, me prani të lartë të forcave të rendit dhe bllokim të akseve që çojnë drejt godinës së Parlamentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje