Menaxhim

Projektligji i ri/ Ndalohen reklamat e personalizuara online

Nga Gazeta ‘Si’- Reklamat online të bazuara në profilizimin e përdoruesve mund të ndalohen në Shqipëri. Kjo është një nga risitë e projektligjit “Për shërbimet digjitale”, i cili është aktualisht në konsultim publik.

Sipas draftit, platformat online nuk do të lejohen t’u shfaqin përdoruesve reklama të personalizuara në bazë të aktivitetit, interesave apo sjelljes së tyre në internet. Çdo reklamë duhet të identifikohet qartë si e tillë dhe të tregojë se kush e ka porositur dhe financuar atë.

Përdoruesit do të kenë gjithashtu të drejtën të shohin pse u është shfaqur një reklamë e caktuar, cilët faktorë janë përdorur për ta përzgjedhur dhe, kur është e mundur, të ndryshojnë këto parametra.

Për platformat dhe motorët shumë të mëdhenj të kërkimit, projektligji kërkon krijimin e një regjistri publik të reklamave, ku do të publikohen të dhëna si reklama, financuesi, periudha e publikimit, kriteret e targetimit dhe numri i përdoruesve që e kanë parë, pa përfshirë të dhëna personale.

Një tjetër risi është krijimi i organeve të pavarura për zgjidhjen jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve mes përdoruesve dhe platformave online. Këto organe do të shqyrtojnë ankesat për heqjen e përmbajtjes, mbylljen e llogarive apo vendime të tjera të platformave, ndërsa do të certifikohen nga AKEP.

Projektligji parashikon edhe masa të forta ndëshkuese për shkelësit. Për mosrespektimin e detyrimeve, gjobat mund të arrijnë deri në 6% të xhiros vjetore globale të ofruesit të shërbimit, ndërsa për mosdhënie informacioni ose pengim të kontrolleve mund të vendosen gjoba deri në 1% të xhiros. Për çdo ditë vonesë në zbatimin e detyrimeve, mund të aplikohen edhe penalitete ditore deri në 5% të të ardhurave mesatare ditore të kompanisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë