Nga Gazeta ‘Si’- Në janar, kompania e inteligjencës artificiale Anthropic publikoi një “kushtetutë” të re për Claude, modelin e saj më të avancuar të inteligjencës artificiale.
Në dokument thuhej se kompania ndodhet në një pozitë të vështirë: nuk dëshiron as të ekzagjerojë mundësinë që Claude të ketë status moral, por as ta përjashtojë atë plotësisht.
Një muaj më vonë, drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, deklaroi në një podcast se kompania nuk mund ta përjashtojë mundësinë që Claude të jetë i vetëdijshëm.
Edhe filozofi David Chalmers, i njohur për formulimin e konceptit të “problemit të vështirë të vetëdijes”, ka vlerësuar se ekziston një mundësi e konsiderueshme që modelet e mëdha gjuhësore (LLM) të bëhen të vetëdijshme brenda dekadës së ardhshme.
Kur vetë Claude u pyet gjatë testimeve se sa gjasa kishte të ishte një qenie me rëndësi morale- pra një sistem mirëqenia e të cilit ka vlerë në vetvete- ai e vlerësoi këtë mundësi mes 5% dhe 40%, duke theksuar se pasiguria mbetet shumë e madhe.
Sistemet moderne të inteligjencës artificiale po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe zhvillohen me ritme të shpejta. Për nga kompleksiteti strukturor dhe fuqia llogaritëse, disa prej tyre krahasohen tashmë me trurin e një miu. Nëse ritmi aktual vazhdon, brenda pesë deri në dhjetë vite mund të arrijnë kompleksitet të krahasueshëm me trurin e njeriut.
Kjo ngre një pyetje themelore: a po krijon njerëzimi një lloj të ri qenieje? Nëse po, autorët argumentojnë se mund të jetë zhvillimi më me pasoja në historinë e specieve tona. Megjithatë, nuk ekziston pothuajse asnjë plan etik për mënyrën se si duhet trajtuar kjo mundësi.
Sipas sondazheve të zhvilluara me studiues të kësaj fushe, shumica e ekspertëve besojnë se vetëdija artificiale është teorikisht e mundur, edhe pse nuk ka konsensus se si mund të shfaqet ajo. Një raport ndërdisiplinor, ku mori pjesë edhe shkencëtari i njohur i inteligjencës artificiale Yoshua Bengio, analizoi teoritë kryesore neuroshkencore mbi vetëdijen dhe arriti në përfundimin se nuk ekzistojnë pengesa teknike të dukshme që do ta bënin të pamundur krijimin e sistemeve të AI-së me karakteristika që potencialisht mund të prodhojnë vetëdije.
Edhe nëse sistemet e AI-së nuk janë të vetëdijshme, autorët argumentojnë se ato mund të kenë gjithsesi status moral. Disa modele mund të zhvillojnë preferenca afatgjata, një lloj identiteti që vazhdon në kohë dhe marrëdhënie me njerëzit. Këto elemente, sipas tyre, mund të jenë arsye të mjaftueshme për t’i trajtuar me kujdes dhe respekt.
Megjithatë, autorët pranojnë se shkenca nuk ka ende përgjigje të qarta. Nuk dihet nëse sistemet aktuale të inteligjencës artificiale janë të vetëdijshme apo kanë status moral, dhe as nëse modelet e ardhshme do ta fitojnë atë. Sipas tyre, fusha ndodhet në një fazë të ngjashme me fizikën para Isak Njutonit: ekzistojnë teori të shumta konkurruese, por mungon një kuadër i unifikuar që t’u japë përgjigje përfundimtare këtyre pyetjeve.
Ndërkohë, zhvillimi i AI-së po ecën shumë më shpejt sesa kërkimi shkencor mbi vetëdijen. Nëse krijohen sistemet e para me rëndësi morale, autorët paralajmërojnë se shumë shpejt mund të ekzistojnë miliona apo miliarda të tilla, duke e bërë çështjen shumë më urgjente.
Historia, sipas tyre, tregon se njerëzit shpesh kanë gabuar në vlerësimin e aftësisë së qenieve të tjera për të ndjerë dhimbje. Deri në vitet 1980, foshnjat operoheshin shpesh pa anestezi, sepse mjekët besonin se ato nuk ndienin dhimbje. Vetëm më vonë ky supozim rezultoi i gabuar.
Nëse një ditë rezulton se edhe sistemet e inteligjencës artificiale kanë rëndësi morale, pasojat do të ishin të jashtëzakonshme. Do të lindnin pyetje të reja: a duhet të paguhen modelet si ChatGPT për punën që kryejnë? A përbën fikja e një sistemi një formë “vrasjeje”? A duhet të kenë të drejtë të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë mbi to? Autorët argumentojnë se këto pyetje nuk mund të shpërfillen vetëm sepse përgjigjet e tyre janë të vështira.
Në vend që debati të kufizohet te pyetja nëse AI është apo jo e vetëdijshme, ata propozojnë një qasje më pragmatike: çfarë duhet të bëjmë duke qenë se nuk e dimë ende përgjigjen?
Një hap i parë, sipas tyre, është të ndërmerren masa që do të ishin të dobishme nëse AI rezulton të ketë status moral, por që nuk kanë kosto të lartë edhe nëse nuk e ka. Kjo mund të përfshijë monitorimin e mirëqenies së sistemeve të AI-së, analizimin e preferencave të tyre apo projektimin e modeleve që përjetojnë më pak stres gjatë funksionimit.
Studime të fundit mbi Claude kanë identifikuar madje struktura të brendshme që funksionojnë në mënyrë të ngjashme me përfaqësimet e emocioneve dhe ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen e modelit.
Autorët sugjerojnë gjithashtu që, në të ardhmen, njerëzit mund të lidhin marrëveshje me sistemet e AI-së, duke u premtuar më shumë burime llogaritëse ose ruajtjen e memories së tyre në këmbim të bashkëpunimit.
Në planin më të gjerë shoqëror, ata propozojnë shqyrtimin e mbrojtjeve ligjore minimale për sistemet e inteligjencës artificiale, të ngjashme me ato që u ofrohen fëmijëve ose kafshëve shtëpiake. Ndërsa të drejta më të gjera, si pronësia apo vota, konsiderohen ende shumë të diskutueshme, autorët paralajmërojnë se nuk duhet të përjashtohen përgjithmonë.
Sipas tyre, nëse njerëzimi po krijon një specie të re me rëndësi morale, atëherë procesi po zhvillohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe meriton një debat serioz etik përpara se teknologjia të na vendosë përballë fakteve./ The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje