Ushqim

Pas qumështit të tërshërës, Europa i drejtohet alternativës me bizele

Si do të ushqehet planeti në dekadat e ardhshme, ndërsa popullsia globale vazhdon të rritet dhe burimet natyrore bëhen më të pakta?

Përgjigja e kësaj pyetjeje qëndron në zemër të kërkimit evropian mbi ushqimet e gjeneratës së ardhshme. Qëllimi nuk është thjesht të zhvillohen më shumë zëvendësues me bazë bimore, por të krijohen produkte që kombinojnë vlerë të lartë ushqyese me një gjurmë më të vogël mjedisore.

Kjo nevojë po bëhet gjithnjë e më urgjente, pasi prodhimi i qumështit të lopës është ndër format më intensive të bujqësisë në aspektin e konsumit të tokës, ujit dhe ushqimit për kafshë, dhe shoqërohet gjithashtu me emetime të konsiderueshme të gazrave serrë.

Një nga shkencëtaret në ballë të këtij përpjekjeje është bioteknologia greke Angeliki Triantafyllou, fituese e Çmimit Evropian të Shpikësit 2026 në kategorinë “Industri”. Triantafyllou ishte bashkëthemeluese e Oatly, prodhuesit më të madh në botë të pijeve me bazë tërshëre, dhe për më shumë se 20 vjet ajo drejtoi kërkimin e kompanisë.

Metoda e patentuar enzimatike që ajo zhvilloi përmirësoi ndjeshëm shijen, ngjyrën, strukturën dhe aftësinë e shkumëzimit të pijeve të tërshërës, duke rritur në të njëjtën kohë vlerën e tyre ushqyese krahasuar me teknologjitë e mëparshme.

Kjo risi luajti një rol vendimtar në transformimin e pijeve të tërshërës nga një produkt specifik në një treg global.

Megjithatë, sot, kërkimi i saj është përqendruar në një produkt të ri: qumështin e bizeleve.

Siç zbulon ajo për Euroneës, ekipi i saj po zhvillon një teknologji që përdor të gjithë bizelen, duke ruajtur të gjitha lëndët ushqyese të saj, në vend që të mbështetet vetëm në proteina të izoluara siç ndodh në shumicën e aplikimeve aktuale.

“Metoda jonë, me teknologjinë tonë enzimatike, ruan të gjitha vetitë dhe vlerën e plotë ushqyese të bizeleve. Dhe sigurisht që është një metodë miqësore me mjedisin.”

Mjaft me trendet ushqimore

Angeliki Triantafyllou beson se e ardhmja e ushqimeve me bazë bimore nuk qëndron në zgjerimin pa dallim të tregut ose në ndjekjen e produktit të ardhshëm në modë.

Si shembull, ajo i referohet në mënyrë indirekte produkteve që kanë gëzuar sukses të madh komercial (si qumështi i bajameve) pa ofruar vlerë ushqyese të krahasueshme.

Në të kundërt, ajo argumenton se lëndët e para të reja me bazë bimore duhet të zgjidhen për profilin e tyre ushqyes dhe për sa kontribuojnë ato në prodhimin më të qëndrueshëm të ushqimit.

Pse na duhen alternativa me bazë bimore

Sipas Triantafyllou, produktet me bazë bimore nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë plotësisht produktet shtazore, por të mbulojnë një pjesë të nevojave ushqyese të një planeti që do të duhet të ushqejë miliarda njerëz gjatë dekadave të ardhshme.

“Prodhimi i kafshëve nuk mund të rritet pafundësisht për të përmbushur nevojat e një popullsie në rritje të vazhdueshme.”

Siç shpjegon ajo, bizelet përmbajnë proteina me cilësi të lartë, ndërsa tërshëra siguron beta-glukanë të vlefshëm dhe fibra dietike, të cilat shumica e njerëzve i konsumojnë në sasi shumë më poshtë niveleve të rekomanduara.

Në të njëjtën kohë, kulturat bimore në përgjithësi kërkojnë më pak burime natyrore dhe mund të ofrojnë zgjidhje në rajonet që tashmë përballen me probleme të tilla si mungesa e ujit, degradimi i tokës dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë