Për një diplomat amerikan ambicioz, kjo është një periudhë mjaft e veçantë për të kërkuar një detyrë të re- të paktën në letër. Në fund të qershorit, më shumë se gjysma e posteve të ambasadorëve amerikanë ishin bosh, përfshirë ambasada me rëndësi të lartë, nga Gjermania deri në Arabinë Saudite. Për ata që synojnë një karrierë në Afrikë, ekziston një mundësi e veçantë: pothuajse 80% e ambasadave amerikane në kontinent nuk kanë ambasador.
Megjithatë, brenda Departamentit Amerikan të Shtetit, perspektivat e karrierës për diplomatët nuk duken aspak aq premtuese. Që kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, ai e ka bërë të qartë përçmimin e tij ndaj asaj që e ka quajtur “një establishment shumë budalla të politikës së jashtme”.
Si fytyra zyrtare dhe, shpeshherë, zbatuesi energjik i pozicionit të Amerikës në botë, Departamenti i Shtetit është mësuar prej kohësh të gëzojë respekt të jashtëzakonshëm jashtë vendit. Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, ambasadorët dhe të dërguarit amerikanë kanë dominuar shpesh homologët e tyre me autoritetin e satrapëve të një perandorie.
Por, 18 muaj pas fillimit të mandatit të dytë të Trumpit, Departamenti jo vetëm që është lënë mënjanë, por duket sikur është nën rrethim.
Duke braktisur praktikën e ndjekur gjatë 60 viteve të fundit, Trump ka anashkaluar diplomatët e karrierës të Shërbimit të Jashtëm, të cilët tradicionalisht drejtonin të paktën dy të tretat e ambasadave amerikane. Nga 101 emërime për ambasadorë gjatë mandatit të tij të dytë, vetëm nëntë i përkasin diplomatëve të karrierës.
E gjithë kjo ndodh në sfondin e shkurtimeve drastike në Departament, ku numri i punonjësve është zvogëluar me më shumë se 3,000 persona, ose mbi 20 për qind, që nga rikthimi i Trumpit në pushtet.
Zyrtarët e administratës e paraqesin këtë transformim si një reformë të vonuar të një institucioni burokratik dhe të shkëputur nga realiteti. Sipas tyre, Departamenti i Shtetit është bërë pengues, duke humbur fokusin nga misioni i tij për të ndihmuar në realizimin e objektivave të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Diplomatët, nga ana tjetër, paralajmërojnë për një politizim të ashpër dhe një spastrim të ekspertëve në emër të kulturës “America First”, e cila, sipas tyre, përçmon ekspertizën rajonale.
Ndërkohë, aleatët tradicionalë të SHBA-së ankohen për zhdukjen e zërit stabilizues të Departamentit të Shtetit nga diplomacia e përditshme globale, ndërsa marrëveshjet e hartuara nga negociatorë relativisht të papërvojë nuk arrijnë të japin rezultate të qëndrueshme.
“Po përballemi me krizën më të dëmshme në historinë 102-vjeçare të Shërbimit të Jashtëm,” thotë Nick Burns, i cili ka shërbyer për 31 vjet në diplomacinë amerikane dhe së fundmi ishte ambasador në Kinë deri në rikthimin e Trumpit në detyrë vitin e kaluar.
Dobësim i fuqisë amerikane?
Veteranët e Departamentit të Shtetit janë të tronditur. Shqetësimi i tyre nuk lidhet vetëm me humbjen e vendeve të punës apo të prestigjit, por edhe me atë që ata e shohin si dobësim të autoritetit amerikan për shkak të humbjes së dijes institucionale dhe largimit nga diplomacia.
“Gjërat janë vërtet keq,” thotë Bill Burns, i cili shërbeu për 32 vjet në Shërbimin e Jashtëm amerikan, përfshirë detyrat si ambasador në Rusi dhe zëvendëssekretar i Shtetit, përpara se të drejtonte CIA-n gjatë presidencës së Joe Bidenit.
Burns argumenton se politikat e Trumpit po i shkaktojnë Departamentit edhe më shumë dëm sesa periudha e Joseph McCarthy-t në vitet 1950, kur fushata antikomuniste e senatorit çoi në humbjen e ekspertizës amerikane për Kinën.
“Ajo periudhë kishte të bënte me një grup relativisht të kufizuar çështjesh dhe i kushtoi shumë Shteteve të Bashkuara për rreth 15 vitet pasuese, deri te afrimi Nixon-Kissinger me Kinën,” thotë ai. “Por kjo prek gjithçka. Nuk bëhet fjalë vetëm për një rajon apo një fushë ekspertize.”
Ish-drejtori i CIA-s thekson jo vetëm atë që ai e quan “hakmarrje” të administratës ndaj Departamentit të Shtetit dhe diplomatëve të karrierës, por edhe, sipas tij, diçka “madje edhe më të keqe”: “mospërfilljen ndaj diplomacisë profesionale.”
Njerëzit mblidhen jashtë Departamentit të Shtetit në Uashington ndërsa punonjësit e sapolarguar nga puna dalin nga ndërtesa. Bill Burns thotë se administrata Trump ka shfaqur një frymë “hakmarrjeje” ndaj diplomatëve të karrierës, si edhe një “mospërfillje ndaj diplomacisë profesionale.”
Trump është mbështetur tek njerëzit e tij të besuar për të negociuar marrëveshje, si memorandumi i mirëkuptimit me Iranin i muajit të kaluar, i cili tashmë pothuajse është rrëzuar plotësisht ndërsa të dy vendet vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve ushtarake. Shumë kritikë të presidentit ia atribuojnë brishtësinë e kësaj marrëveshjeje – dhe kushteve që, sipas disa analistëve, favorizonin Teheranin – vendimit të Trumpit për të lënë jashtë ekspertët.
“Ju duhet një ekspertizë e tillë profesionale dhe jopartiake për të qenë në gjendje të konkurroni me negociatorët iranianë, të cilët, nga përvoja ime personale, janë jashtëzakonisht të përgatitur për këto çështje,” shton Burns, i cili ka marrë pjesë vetë në disa raunde negociatash me Iranin.
“E njëjta gjë do të vlente edhe nëse një ditë do të hynim në negociata serioze për Rusinë dhe Ukrainën.”
Yael Lempert, veterane e Departamentit të Shtetit për 27 vjet, e cila u shkarkua nga posti i ambasadores në Jordani ditën e parë të mandatit të dytë të Trumpit, është edhe më e drejtpërdrejtë.
“Ne u mundëm në tryezën e negociatave,” thotë ajo. “Iranianët janë negociatorë me përvojë dhe sollën ekipe ekspertësh që i njihnin këto çështje në çdo detaj. Shtetet e Bashkuara nuk e bënë këtë dhe, në mënyrë të njëanshme, e vendosën veten në disavantazh.”

“I menduar mirë dhe i shqyrtuar me kujdes”
Në frymën e luftës më të gjerë të administratës Trump kundër asaj që ajo e quan “shteti i thellë” (deep state), zyrtarët e paraqesin shkurtimin e Departamentit të Shtetit si një plan “të menduar mirë dhe të shqyrtuar me kujdes”, me synimin për ta përafruar institucionin me axhendën “America First”.
Sipas një zëdhënësi, këto ndryshime do t’i mundësojnë Departamentit të lëvizë “me shpejtësinë që kërkon realiteti”.
“Cili është funksioni i Departamentit të Shtetit?” pyet një zyrtar i lartë i administratës Trump.
“Ai pëlqen ta shohë veten si qendra e politikës së jashtme. Kjo nuk është e vërtetë. Detyra e tij është të përfaqësojë politikën e jashtme të presidentit, jo ta hartojë atë.”
Kur Marco Rubio u emërua sekretar i Shtetit në fillim të mandatit të dytë të Trumpit, sipas këtij zyrtari, ai hyri në Departament dhe deklaroi:
“Kjo nuk po funksionon.”
Edhe brenda Departamentit pranohet se institucioni kishte nevojë për reforma.
Një diplomat veteran thotë se Departamenti nuk kishte bërë mjaftueshëm gjatë viteve të fundit për të adresuar problemet, si mbivendosjen e përgjegjësive. Një tjetër pranon se organizata, herë pas here, kishte reaguar në mënyrë pasive-agresive ndaj drejtuesve politikë.
Megjithatë, diplomatët druhen se reformat po përdoren si pretekst për një dobësim të përgjithshëm të institucionit.
Ata shqetësohen gjithashtu për ritmin e ndryshimeve. Mbyllja e papritur vitin e kaluar e USAID, agjencisë amerikane të zhvillimit e krijuar nga John F. Kennedy, sipas tyre tregoi se ndryshimet e nxituara mund të kenë pasoja katastrofike.
“Ka njëfarë të vërtete në argumentin se Departamenti i Shtetit kishte kohë që kishte nevojë për konsolidim dhe modernizim,” thotë Jacob Shapiro, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Princeton.
“Por,” shton ai, “më duket se gjithçka u bë shumë shpejt, pa analizuar mjaftueshëm pasojat që do të kishte kjo për diplomacinë amerikane.”
Aleatët e administratës thonë se hera e fundit kur Departamenti i Shtetit u përball me një transformim kaq të madh ishte në fillim të Luftës së Ftohtë, rreth tetë dekada më parë.
Megjithatë, është e qartë se rrënjët e ristrukturimit aktual ndodhen në mandatin e parë të Trumpit, kur ai u zemërua nga refuzimi i Departamentit për të zbatuar pa rezerva politikat e tij.
James Carafano, studiues në fondacionin konservator Heritage Foundation, thotë se Mike Pompeo, sekretar i Shtetit në gjysmën e dytë të mandatit të parë të Trumpit, ndoqi modelin tradicional të paraardhësve të tij, qofshin republikanë apo demokratë:
“Unë bëj punën time dhe Departamenti bën punën e vet.”
Sipas tij:
“Pompeo bënte atë që kërkonte presidenti, por nuk ndërhynte në funksionimin e brendshëm të Departamentit. Modeli i tij ishte: ‘Mbaje presidentin të kënaqur dhe mbaje institucionin të kënaqur.'”
“Në mandatin e dytë, Trump kërkonte një përputhje shumë më të madhe me vizionin e tij. Bëhet fjalë për ushtrimin e pushtetit nga lart-poshtë dhe për të pasur Departamentin e Shtetit që ai dëshiron.”
Trump e ka bërë të qartë edhe hierarkinë e politikës së tij të jashtme përmes njerëzve që ka zgjedhur për të ndërmjetësuar krizat ndërkombëtare.
Në vend të diplomatëve të karrierës, ai ka zgjedhur miq biznesi dhe donatorë, si Steve Witkoff dhe Tom Barrack, si edhe persona me lidhje të ngushta familjare, si dhëndri i tij Jared Kushner.
Për dekada me radhë, presidentët amerikanë kanë emëruar miq të afërt si të dërguar specialë dhe donatorë politikë në ambasadat më prestigjioze, si Londra apo Parisi, dhe disa prej tyre janë treguar diplomatë të suksesshëm.
Megjithatë, presidentët e mëparshëm e balanconin këtë praktikë me emërimin e diplomatëve profesionistë.
Sipas Nick Burns, pikërisht ky ishte qëllimi kur u krijua Shërbimi i Jashtëm amerikan në maj të vitit 1924: të zëvendësonte “sistemin e patronazhit dhe shpërblimeve politike” të shekullit XIX me ekspertizë të mirëfilltë.
Rikthimi i këtij modeli, argumenton ai, dobëson aftësinë e Amerikës për ta kuptuar botën dhe për të vepruar me sukses në të.
“Shumë nga diplomatët tanë më me përvojë janë pushuar nga puna në mënyrë të menjëhershme,” thotë ai.
“Tani nuk ka më diplomatë karriere në dhomat ku merren vendimet… Ky është një autogol.”
Administrata Trump i hedh poshtë shumicën e këtyre kritikave, duke argumentuar se ato nuk janë në hap me realitetin e botës moderne.
Sipas saj, raportimet tradicionale diplomatike drejt Uashingtonit mbi klimën politike dhe zhvillimet lokale nuk kanë më të njëjtën rëndësi si dikur.
Në epokën e rrjeteve sociale, ciklit 24-orësh të lajmeve dhe komunikimit të drejtpërdrejtë mes liderëve botërorë, vëzhgimet në terren të ambasadave amerikane konsiderohen shumë më pak të domosdoshme.
“Roli i një ambasade është të jetë një qendër logjistike,” thotë zyrtari i lartë i administratës.
Në këtë klimë, diplomatët amerikanë shpesh injorohen — jo vetëm nga administrata.
“Diplomatët e karrierës me të cilët flas kalojnë ditën duke lexuar gazetën në zyrë ose duke hartuar dokumente që nuk përfundojnë askund,” thotë një ish-diplomat i lartë amerikan.
Diplomatët e vendeve aleate, nga Evropa dhe Lindja e Mesme deri në Azinë Lindore, pranojnë se tashmë i kanë zhvendosur kontaktet e tyre nga Departamenti i Shtetit drejt rrethit të ngushtë të Trumpit dhe të dërguarve të tij.
Ky ndryshim nuk ndodh vetëm sepse aty ndodhet pushteti real, por edhe sepse diplomatët amerikanë shpesh dinë po aq pak sa homologët e tyre të huaj për politikën e jashtme të Trumpit.
Madje, ata shpesh bien pre e vetëcensurës.
Diplomatët e karrierës vazhdojnë të takojnë zyrtarë të huaj, por janë “shumë të kujdesshëm” për atë që thonë, shprehet ish-diplomati.
“Zëvendësshefat e misioneve dhe ambasadorët pothuajse nuk bëjnë më raportime reale. Ata janë jashtëzakonisht të kujdesshëm për atë që dërgojnë në Uashington.”
Marco Rubio, i cili njëkohësisht është sekretar i Shtetit dhe këshilltar për sigurinë kombëtare i Trumpit, kalon shumë më tepër kohë në Shtëpinë e Bardhë, aty ku merren vendimet, sesa në selinë e Departamentit të Shtetit në Foggy Bottom.
Kjo vetëm sa e forcon bindjen, si brenda ashtu edhe jashtë Departamentit, se institucioni ndodhet nën sulm.
“Shkatërrimi i Departamentit është si një rrethim mesjetar,” thotë ish-diplomati.
“Fillimisht hedhin topat mbi qytet… pastaj hedhin kripë mbi arat”
Nëse ka një pikë për të cilën bien dakord si diplomatët veteranë ashtu edhe aktivistët e lëvizjes MAGA (Make America Great Again), është se Departamenti i Shtetit po kalon një transformim të thellë kulturor.
Ekipi i Trumpit ka vepruar me shpejtësi për të imponuar vizionin “America First” mbi një institucion që, sipas tyre, ishte bërë liberal, armiqësor ndaj administratës dhe i prirur të nxirrte informacione në media. Në ajër ndihet jo vetëm fryma e revolucionit, por edhe ajo e hakmarrjes.
“Kishte shumë njerëz që mendonin se ishin ata që bënin politikën dhe vazhdimisht debatonin apo shprehnin kundërshtime,” thotë një zyrtar i lartë i administratës Trump.
“Ishte shumë e vështirë të bëhej diçka. Në fund përfundoje gjithmonë me ndonjë memorandum të vakët dhe pa forcë.”
Diplomatët e karrierës përgjigjen se ata tradicionalisht e kanë parë veten si nëpunës publikë jopartiakë dhe paralajmërojnë se tani në Departament mbizotëron një klimë frike, ku njerëzit “shikojnë vazhdimisht mbi supe”, nga frika se mos po testohen për besnikërinë e tyre ndaj botëkuptimit MAGA.
Nick Burns kundërshton pretendimin e aleatëve të Trumpit se Departamenti ishte kthyer në një “dhomë jehone liberale”.
“Gjatë dekadave të mia në Departament ne përpiqeshim të krijonim një mjedis ku njerëzit mund të flisnin lirshëm dhe të kundërshtonin kur mendonin se politika ishte e gabuar,” thotë ai.
“Logjika jonë ishte kjo: nëse krijon një mjedis të tillë, atëherë, pasi merret vendimi, të gjithë e respektojnë dhe vazhdojnë punën.”
Bill Burns thekson se tani në Departament po vihet gjithnjë e më shumë theksi tek “besnikëria”.
Sipas tij, kjo po shndërrohet në një test të prirjeve politike të njerëzve, “që nga procesi i pranimit në shërbim e deri te promovimet dhe vlerësimet”.
“Mendoj se kjo është thellësisht e pashëndetshme,” shton ai.
“Pavarësisht mangësive të Departamentit, në përvojën time njerëzit zakonisht i linin bindjet politike jashtë derës kur hynin në punë.Nëse ua zhduk njerëzve këtë kulturë, përfundon duke imituar shumë sisteme autoritare, të cilat ushtrojnë presion mbi nëpunësit e karrierës dhe më pas marrin vendime të gabuara.”
Gjatë shekullit XX dhe dekadës së parë të shekullit XXI, kalimet nga sekretarët republikanë te ata demokratë zakonisht ishin të qeta, jo pak sepse të dyja partitë ndanin një vizion të përbashkët për rolin global të Amerikës.
Por marrja e kontrollit të Partisë Republikane nga krahu “America First” e ka ndryshuar rrënjësisht këtë realitet.
Qendra e debatit të brendshëm është bërë Ben Franklin Fellowship (BFF), një organizatë e diplomatëve konservatorë aktualë dhe ish-diplomatëve të Shërbimit të Jashtëm, e themeluar dy vjet më parë me synimin e deklaruar për të promovuar ide, kuadro dhe rekrutë konservatorë.
Matt Boyse, një nga tre themeluesit e saj, iu bashkua Departamentit të Shtetit në vitet 1980, kur president ishte Ronald Reagan.
Sipas tij, gjatë tri dekadave të fundit Departamenti “ka lëvizur gjithnjë e më shumë majtas”.
“Kjo nisi gjatë administratës së Bill Clintonit dhe nën Bidenin mori përmasa të jashtëzakonshme.”
Si shembuj të këtij animi liberal, ai përmend theksin e shtuar gjatë administratave të Barack Obamës dhe Joe Bidenit mbi politikat e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI), si edhe zgjerimin e programeve të USAID, të cilat, sipas tij, “nuk i shërbenin interesit kombëtar amerikan”.
“Kishte shumë gjëra pozitive në Departament, por atmosfera dhe politikat po anonin gjithnjë e më shumë majtas,” thotë ai.
“Nëse je liberal, nuk e vëren këtë ose mendon se është krejt normale. Ata gjithashtu besojnë se reformat kërkojnë gjithmonë më shumë para, më shumë punonjës dhe më shumë programe. Nëse i përket gjysmës së amerikanëve që nuk janë progresistë apo liberalë, atëherë thua: ‘Prisni një moment, kjo po shkon në drejtimin e gabuar.'”
Boyse këmbëngul se Ben Franklin Fellowship nuk është një organizatë vetëm për mbështetësit e MAGA-s.
“Ka njerëz që variojnë nga reaganistët te libertarianët, nga mbështetësit e Trumpit dhe ‘America First’ deri te ata që admironin John McCain.”
“Emëruesi i përbashkët është se nuk janë liberalë.”
Ai shton se shumë anëtarë të organizatës gjithashtu kanë humbur vendet e punës për shkak të shkurtimeve.
Nga ana tjetër, diplomatët e karrierës flasin me shqetësim për BFF-në, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat e kulturës së re që kontrollon bindjet politike të punonjësve.
Sipas ish-diplomatit të lartë amerikan, disa ambasadorëve u janë bërë pyetje për qëndrimin e tyre ndaj sulmit të 6 janarit 2021 mbi Kapitolin amerikan nga mbështetësit e Trumpit.
“Ekziston një ndjesi e qartë se ka mbikëqyrës politikë përreth,” thotë Yael Lempert, ish-ambasadore në Jordani gjatë administratës Biden.
“Ka një nivel frike të paprecedentë. Njerëzit kanë frikë se nëse shprehin kritika ose propozojnë politika alternative, kjo mund të interpretohet si mungesë besnikërie dhe mund të humbasin vendin e punës.”
Boyse nuk ka shumë simpati për këto ankesa.
“Disa diplomatë po përpiqen të mbrojnë trashëgiminë e tyre, ndërsa të tjerë po ankohen pa bazë për diskriminim. Është paksa ironike që njerëzit që kanë qenë në krye për dekada tani pretendojnë se po diskriminohen.”
Nuk ka më kthim pas
Sa shumë duhet të përpiqen kundërshtarët e Trumpit për ta rikthyer Departamentin e Shtetit në gjendjen e mëparshme? Kjo është një nga pyetjet më të mëdha me të cilat do të përballen demokratët nëse rikthehen në pushtet në vitin 2028.
Disa ekspertë të politikës së jashtme pranë Partisë Demokratike pranojnë se, në Amerikën e sotme, do të ishte politikisht e papranueshme të kërkohej rikthimi i rolit që SHBA kishte para Trumpit si hegjemoni globale.
Ata argumentojnë se sfida nuk është rikthimi i së kaluarës, por rishpikja e diplomacisë amerikane.
Për shembull, ata thonë se, duke qenë se tërheqja e pjesshme e Amerikës nga skena botërore duket e pakthyeshme, është gjithnjë e më e vështirë të justifikohet kostoja e rrjetit të plotë të ambasadave, sidomos në një kohë kur Kina po investon fuqishëm për të fituar ndikim në vendet e Jugut Global.
Madje, një strateg argumenton se një administratë demokrate duhet të përfitojë nga reformat e Trumpit, ndonëse, sipas tij, “të motivuara shumë keq” – për të rimenduar Departamentin e Shtetit dhe për ta përshtatur atë me një botë ku liderët komunikojnë drejtpërdrejt përmes WhatsApp-it.
Edhe diplomatët veteranë bien dakord se është arritur një pikë kthese.
“Në mandatin e parë të Trumpit ekzistonte bindja se, me një administratë tjetër dhe një qasje tjetër, dëmet mund të riparoheshin brenda një cikli katërvjeçar,” thotë ai.
“Por këtë herë kemi të bëjmë me një sfidë brezash.”
Megjithatë, ai paralajmëron se do të ishte gabim të tentohej ringjallja e modelit të vjetër.
“Gabimi më i madh që mund të bëjë një administratë e re në fillim të vitit 2029 është të mendojë se mjafton të kthejë orën pas dhe t’i rikthejë gjërat ashtu siç ishin.”/FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje