Analize

A është premtimi i Trump prej 5.000 dollarësh shenjë paniku?

Të gjithë e dimë se Donald Trump nuk e sheh të nevojshme t’u përmbahet rregullave të zakonshme të fushatës politike. Madje, edhe sipas standardeve të tij jokonvencionale, premtimi i tij i bujshëm për t’i dhënë çdo qytetari amerikan 5,000 dollarë nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit, ishte i çuditshëm.

Ky premtim gjigant financiar nuk ishte kryefjala e fjalimit të tij kryesor, të mbajtur të mërkurën në mbrëmjen e parë të konventës republikane për zgjedhjet e mesmandatit.

Ai e përmendi këtë çështje kalimthi, rreth një orë pasi kishte nisur fjalimin e tij të gjatë – pikërisht në momentin kur vëmendja e audiencës kishte filluar të binte.

Presidenti nuk dha detaje se si do të financohej ky premtim, vlera e të cilit kalon një trilion dollarë, apo se si do të shpërndaheshin pagesat.

Kur iu kërkuan më shumë informacione, Shtëpia e Bardhë deklaroi se “ky njoftim është prova më e fundit që Presidenti Trump bën atë që të ashtuquajturit ‘ekspertë’ thonë se është e pamundur: ai përmbush pritshmëritë e popullit amerikan”, por nuk dha hollësi të tjera mbi mënyrën e zbatimit të kësaj mase.

Vetë njoftimi u prit me duartrokitje entuziaste nga mbështetësit e pranishëm në arenën e konventës republikane në Dallas, Teksas.

Megjithatë, republikanët që garojnë në zona me rezultate të pasigurta në zgjedhjet e nëntorit dhe që duhet të fitojnë mbështetjen e votuesve të pavendosur e skeptikë, përfshirë republikanët e moderuar dhe të pavarurit kryesisht qëndruan larg këtij aktiviteti.

Gjithashtu, shumë nga kolegët republikanë të Trumpit mbetën qartazi të befasuar. Disa e mirëpritën njoftimin, por republikanët që janë më kritikë ndaj Trumpit nuk vonuan ta dënonin atë.

Konservatorët që janë përplasur më parë me Trumpin, veçanërisht për mënyrën se si borxhi federal ka vazhduar të rritet në mënyrë galopante gjatë presidencës së tij, reaguan në mënyrë tejet kritike.

Thomas Massie, përfaqësuesi republikan nga Kentaki, i cili humbi zgjedhjet paraprake pikërisht për shkak të kritikave ndaj Trumpit në fillim të këtij viti, shkroi në platformën X: “Nuk e di për ju të tjerët, por sinqerisht ndihem i fyer nga ideja se vota ime në nëntor mund të blihet për 5 mijë dollarë. Pa përmendur inflacionin që do të shkaktonte kjo. Duke marrë parasysh gjithçka, nuk mund ta pranoj me ndërgjegje të pastër asnjë qindarkë më pak se 10 mijë dollarë!”

Senatorja Susan Collins, e cila anashkaloi Dallasin për të bërë fushatë në Maine, ku po përballet me një garë të ngushtë për rizgjedhje, deklaroi: “Vendimet për taksat dhe shpenzimet duhet të merren bazuar në nevojat e popullit amerikan dhe gjendjen e ekonomisë; ato nuk duhet të duken sikur lidhen me rezultatet zgjedhore.”

Nga ana e tyre, demokratët e kanë cilësuar këtë si një “premtim bosh”.

Ekspertët ligjorë thonë se ka pak gjasa që Trumpi të mund të miratojë një shumë kaq të madhe përmes një urdhri ekzekutiv presidencial, por të enjten presidenti la të kuptohet se nuk do t’i drejtohej Kongresit.

Duke folur për CBS-in, ai tha se nuk mendonte se Kongresit do t’i duhej ta miratonte këtë shpenzim, përpara se të shtonte: “Mendoj se ata do ta bëjnë, nëse do të na duhej.”

Megjithatë, shumë përfaqësues republikanë me qëndrime konservatore fiskale ka gjasa të refuzojnë mbështetjen e një shpenzimi të tillë.

Ish-përfaqësuesi republikan Bob Good e hodhi poshtë “dividendin Trump” si një “skemë socialiste për blerjen e votave”.

Por ky konvent shërbeu si një kujtesë se Trump vazhdon të dominojë partinë dhe, të paktën në Dhomën e Përfaqësuesve, ai i ka detyruar më parë ata t’i nënshtrohen vullnetit të tij për politika që nuk përputhen me qëndrimet tradicionale konservatore.

Kjo nuk është hera e parë që Presidenti Trump u bën një premtim financiar votuesve. Amerikanët janë ende në pritje të çeqeve prej 2,000 dollarësh që ai tha se secili do t’i merrte nga të ardhurat e gjeneruara prej tarifave të tij tregtare. Gjithashtu, pagesat prej 5,000 dollarësh që Elon Musk propozoi se do të vinin nga shkurtimet e shpenzimeve të nismës “Doge”, nuk u realizuan kurrë.

Trump e mbajti premtimin për krijimin e llogarive të kursimit “Trump”, me një kontribut qeveritar prej 1,000 dollarësh për fëmijët e lindur gjatë mandatit të tij. Po ashtu, të gjithë pjesëtarët e ushtrisë amerikane morën një pagesë prej 1,776 dollarësh për të festuar 250-vjetorin e Amerikës.

A është kjo një shenjë se Donald Trump ka frikë se po shkon drejt një humbjeje të madhe në nëntor, duke ndjerë kështu nevojën për të bërë një premtim zgjedhor kaq tërheqës?

Pavarësisht se presidenti nuk figuron në fletëvotim, votuesit shpesh i trajtojnë zgjedhjet e mesmandatit si një referendum për presidentin në detyrë dhe shpesh partia në pushtet has vështirësi.

Dhe, në një kohë kur kanë mbetur më pak se dy muaj deri në ditën e zgjedhjeve, Trump përballet me nivele historikisht të ulëta të pëlqyeshmërisë.

Konflikti i tij me Iranin është bërë gjithnjë e më jopopullor dhe pasojat e tij po ndihen nga amerikanët te çmimet e karburantit. Kostoja e jetesës mbetet një çështje kryesore për votuesit dhe, ndonëse inflacioni ka rënë nga nivelet kulmore të periudhës pas-COVID nën administratën e Joe Biden, ai mbetet kokëfortësisht i lartë.

A sugjeron ky premtim njëfarë paniku, duke qenë se ai e nxori këtë politikë “nga xhepi” pa i informuar më parë shumë prej aleatëve të tij më të ngushtë?

Pa dyshim, kjo është një mënyrë tejet jokonvencionale për të prezantuar një premtim të madh zgjedhor.

Por suksesi politik i Trumpit është ndërtuar mbi mënyrën e tij të veprimit që thyen normat e zakonshme.

Lëvizja e tij më e fundit mund të funksionojë, por vetëm nëse votuesit besojnë se ai e ka seriozisht që t’u japë atyre një çek./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë