Menaxhim

Shqipëria prodhon gjithnjë e më shumë mbetje, 383 kg për banor. ‘Zhduken’ inceneratorët

Nga Gazeta ‘Si’- Në vitin 2025, në Shqipëri u menaxhuan 900.8 mijë tonë mbetje, duke shënuar një rritje prej 4.5% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, mesatarisht çdo banor gjeneroi 383 kilogramë mbetje, ose 23 kilogramë më shumë se në vitin 2024.

Të dhënat tregojnë se depozitimi në landfill mbetet metoda dominuese e trajtimit të mbetjeve në vend. Rreth 77% e mbetjeve të menaxhuara përfunduan në landfille, ndërsa vetëm 18% u ricikluan, një përqindje që mbetet pothuajse e pandryshuar krahasuar me vitin paraardhës.

Po ashtu, përbërja e mbetjeve urbane nuk ka pësuar ndryshime të ndjeshme ndër vite, duke reflektuar të njëjtat modele të konsumit dhe menaxhimit të mbetjeve.

Sipas raportit, 90,3% e popullsisë u mbulua nga shërbimi i grumbullimit të mbetjeve gjatë vitit 2025.

Statistikat tregojnë se sasia e mbetjeve të menaxhuara është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit. Në vitin 2023 u menaxhuan 844.157 tonë mbetje, në vitin 2024 862.241 tonë, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër arriti në 900.782 tonë.

Edhe sasia e mbetjeve për banor ka ndjekur të njëjtin trend në rritje. Nga 351 kilogramë për banor në vitin 2023, ajo u rrit në 360 kilogramë në vitin 2024 dhe në 383 kilogramë në vitin 2025. Brenda kësaj sasie, mbetjet urbane u rritën nga 322 kg për banor në vitin 2024 në 341 kg në vitin 2025, ndërsa mbetjet jo urbane nga 38 kg në 42 kg për banor.

Të dhënat nënvizojnë se, pavarësisht rritjes së sasisë së mbetjeve të menaxhuara, niveli i riciklimit mbetet i pandryshuar, ndërsa vendgrumbullimet në landfille vazhdojnë të jenë forma kryesore e trajtimit të mbetjeve në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë