Para

Raporti/ Noterët në qendër të skemave të pastrimit të parave në Shqipëri

Nga Gazeta ‘Si’– Studimi, i bazuar në 89 intervista të kryera gjatë periudhës dhjetor 2024-janar 2026, thekson se një pjesë e noterëve nuk kufizohen vetëm në rolin e dëshmitarit neutral, por në disa raste shërbejnë si lehtësues të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të pastrimit të parave. Një nga skemat më të përhapura, sipas raportit, është certifikimi i kontratave të huave në cash mes individëve, pa verifikim të origjinës së fondeve, të cilat më pas përdoren për të justifikuar paratë e futura në ekonomi si “borxh” i ligjshëm.

Raporti ngre gjithashtu shqetësime për tregun e pasurive të paluajtshme, ku noterët lejojnë kontrata me çmime të nënvlerësuara ose të fryra, duke krijuar hapësira për futjen e parave të padeklaruara dhe evazion fiskal.

Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e verifikimit të pronarëve realë të kompanive dhe pasurive, duke lejuar përdorimin e personave të tretë si mbulesë për kapitalet reale.

GI-TOC kritikon gjithashtu mungesën e raportimit të transaksioneve të dyshimta dhe përdorimin e “sekretit profesional” si justifikim për mosbashkëpunim me autoritetet financiare.

Në këtë kontekst, raporti sjell si shembull edhe rajonin, ku numri i raportimeve të dyshimta nga noterët mbetet shumë i ulët krahasuar me volumin e madh të transaksioneve.

Në fund, raporti rekomandon masa më të forta kontrolli, përfshirë kufizimin e kompetencave të noterëve në transaksione me risk të lartë, rritjen e mbikëqyrjes, kontrolle të papritura dhe sanksione të ashpra, deri në heqjen e licencës dhe ndjekje penale për rastet e shkeljeve serioze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë