Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria mbetet ndër vendet e rajonit me varësinë më të lartë nga energjia elektrike në konsumin final të energjisë në sektorin rezidencial.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, energjia elektrike përbënte 55.95% të konsumit të familjeve shqiptare, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 26.86%.
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet pas Maqedonisë së Veriut (56.83%) dhe Kosovës (54.81%) për përdorimin e energjisë elektrike në banesa. Mali i Zi kishte një peshë prej 45.25%, ndërsa Serbia 33.97%. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, energjia elektrike përbënte vetëm 25.74% të konsumit rezidencial.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se 25.64% e konsumit final të energjisë në familjet shqiptare vinte nga burimet e rinovueshme dhe biokarburantet. Megjithatë, ky nivel mbetet më i ulët se në Bosnjë dhe Hercegovinë (63.79%), Mal të Zi (53.85%), Moldavi (44.30%) dhe Serbi (42.76%).
Një veçori e Shqipërisë është mungesa pothuajse e plotë e përdorimit të gazit natyror në sektorin rezidencial, me një peshë 0%, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian arrin në 29.44%. Edhe vendet e rajonit, si Serbia (9.59%) dhe Moldavia (22.06%), kanë një përdorim më të lartë të gazit për nevojat e familjeve.
Ndërkohë, produktet e naftës dhe derivatet e saj zinin 18.41% të konsumit final të energjisë në banesat shqiptare, një nivel më i lartë se mesatarja europiane prej 10.42%. Përdorimi i lëndëve djegëse fosile të ngurta dhe i energjisë termike ishte praktikisht i papërfillshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje