Menaxhim

Ndryshimet në Kodin Rrugor për mjetet elektrike, Komisioni i Jashtëm rrëzon propozimet e opozitës

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme rrëzoi sot propozimin e deputetit të Partisë Demokratike, Kliti Hoti, për disa ndryshime në Kodin Rrugor.

Hoti u shpreh se qëllimi i këtij pr/ligji është që të nxisë përdorimin e mjeteve elektrike. Ai propozoi pajisjen e mjeteve me targa të veçanta identifikuese dhe përjashtimi ose reduktimin e detyrimeve financiare dhe administrative për një periudhë 5-vjeçare nga data e regjistrimit të parë.

Gjatë mbledhjes, zv/ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia vlerësoi nismën e deputetit Hoti, por bëri të ditur se institucioni ka përgatitur një draft të ri për ndërhyrje në Kodin Rrugor.

Qefalia theksoi se, propozimet e deputetit mund të shqyrtohen në kuadër të paketës së re të ndryshimeve që po hartohet nga grupet e ekspertëve, me synimin për të ndërtuar një kod rrugor bashkëkohor dhe më funksional.

Relatori i çështjes në komision, deputeti Ervin Hoxha, vlerësoi nismën si një hap pozitiv për lehtësimin e përdorimit të mjeteve elektrike dhe për nxitjen e politikave fiskale mbështetëse në këtë sektor.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimi Evropian, duke shtuar se projektligji në fjalë nuk synon drejtpërdrejt përafrimin me acquis communautaire, por trajton çështje specifike të kuadrit kombëtar rrugor.

Komisioni vendosi me 3 vota pro, asnjë dhe 7 abstenime të mos miratojë këtë propozim.

Komisioni gjithashtu shqyrtoi edhe propozimin e deputetit të partisë “Mundësia”, Erald Kapri për disa ndryshime në Kodin Rrugor.

Deputeti Kapri kundërshtoi urdhrin e ministrit të Brendshëm për ndalimin e qarkullimit të përkohshëm të motomjeteve elektrike.

Kapri u shpreh që në pr/ligjin që ka propozuar monopatinat të konsiderohen si biçikleta dhe të qarkullojnë në korsitë e biçikletave. Nën moshën 14 vjeç të jenë të ndaluara të përdoren. Nga mosha 14-18 vjeç të jetë e detyruar kaska mbrojtëse dhe shpejtësia deri në 25 kilometra në orë.

Zv/ministri i brendshëm, Xhemal qefalia vlerësoi nismën e deputetit Kapri, por u shpreh se qeveria është e interesuar për shëndetin e qytetarëve, teksa përmendi numrin e lartë të aksidenteve.

Relatori i çështjes në komision, deputeti Ervin Hoxha, theksoi se ndalimi i këtyre mjeteve parandalon aksidentet. Ai u shpreh se duhet pritur nisma e Ministrisë së Brendshme për ndërhyrjet në Kodin Rrugor.

Komisioni rrëzoi me 2 vota pro, 7 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë