Menaxhim

Propozimi i AKSHI-t/ Policia mund të përdorë kamerat biometrike vetëm ‘në raste të jashtëzakonshme’

Nga Gazeta ‘Si’ –Një ligj i ri i propozuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit synon të vendosë për herë të parë rregulla të qarta për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në Shqipëri.

Një nga pjesët më interesante dhe më sensitive të draftit në konsultim publik lidhet me përdorimin e njohjes biometrike dhe analizave të fytyrës në vende publike. Projektligji ndalon në parim përdorimin e sistemeve të identifikimit biometrik “live”, përveç rasteve kur ato konsiderohen të nevojshme për hetim apo kërkim nga autoritetet ligjzbatuese.

Sipas draftit, këto sisteme mund të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme, si kërkimi i personave të zhdukur, rastet e trafikimit apo rrëmbimit, parandalimi i sulmeve terroriste apo identifikimi i personave të dyshuar për krime të rënda.

Ligji përcakton se përdorimi i njohjes biometrike live duhet të autorizohet paraprakisht nga gjykata kompetente dhe të kufizohet në kohë, zonë gjeografike dhe kategori personash. Autoritetet duhet të justifikojnë proporcionalitetin dhe domosdoshmërinë e përdorimit të teknologjisë për secilin rast konkret.

Në raste emergjente, autoritetet mund ta aktivizojnë sistemin edhe pa autorizim paraprak, por duhet të kërkojnë miratim nga gjykata brenda 24 orëve. Nëse autorizimi refuzohet, përdorimi ndërpritet menjëherë dhe të gjitha të dhënat e mbledhura duhet të fshihen.

Projektligji ndalon gjithashtu krijimin e databazave masive të fytyrave përmes mbledhjes së pakontrolluar të imazheve nga interneti ose kamerat e sigurisë, një praktikë që ka ngritur debate të forta për privatësinë në vende të ndryshme të botës.

Drafti parashikon gjithashtu që asnjë qytetar të mos penalizohet vetëm mbi bazën e rezultatit të një sistemi biometrik, duke e konsideruar Inteligjencën Artificiale si mjet ndihmës dhe jo si vendimmarrës final.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë