Nga Gazeta ‘Si’- Jerevani, një qytet plot hijeshi me vlera liberale, i rrethuar nga arkitektura imponuese sovjetike, ndoshta nuk mund të quhet “qendra e botës”.
Megjithatë, pretendimi i Armenisë se mund të shndërrohet në nyjën strategjike të Euroazisë po bëhet gjithnjë e më realist. Ndërsa ish-republika sovjetike përgatitet për zgjedhjet kombëtare të 7 qershorit, ajo gjendet në qendër të një përplasjeje gjeopolitike mes Rusisë, SHBA-së, Turqisë, Europës dhe Azerbajxhanit.
Ky interes i shtuar lidhet pjesërisht me mundësinë e përfundimit të konfliktit me Azerbajxhanin dhe me shansin që Armenia të dalë nga izolimi fizik, duke u bërë pjesë e “korridorit të mesëm”- një rrugë tregtare jetike që lidh Kinën perëndimore me Europën, duke anashkaluar si korridorin verior rus, ashtu edhe Kanalin e Suezit.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ka deklaruar se hapja e kufijve me Turqinë dhe Azerbajxhanin mund të transformojë jo vetëm Armeninë, por gjithë Kaukazin e Jugut. Sipas tij, nëse paqja sigurohet dhe kufijtë hapen, do të ishte sikur vetë pozicioni gjeografik i Armenisë të kishte ndryshuar.
“Rruga më e shkurtër mes lindjes dhe perëndimit kalon përmes Armenisë”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan, shpjegon se synimi i qeverisë është ta kthejë gjeografinë e vendit në një avantazh strategjik.
“Sfida pas dekadash është të bëhemi një urë dhe jo një pengesë. Armenia mund të lidhë Europën me Azinë Qendrore, Lindjen e Largët, Indinë dhe Kinën. Kjo jo vetëm që garanton sovranitetin tonë, por edhe prosperitetin tonë paqësor”, është shprehur ai.

Një element kyç i kësaj strategjie është projekti i ashtuquajtur “Trump Route for International Peace and Prosperity” (Tripp), një korridor që do të lidhte Europën dhe Azinë përmes territorit armen si pjesë e marrëveshjes së paqes me Bakunë.
Ky vizion gjeopolitik përbën thelbin e ofertës politike të Pashinyanit për një mandat të tretë radhazi. Ai kërkon mbështetje për konceptin e “Armenisë Reale”, në kontrast me atë që e quan “Armenia historike”, e fokusuar te humbjet territoriale dhe plagët e së kaluarës.
Doktrina e “Armenisë Reale” kërkon paqe të dhimbshme me Azerbajxhanin dhe një largim gradual nga ndikimi rus drejt Bashkimit Europian. Partia në pushtet e përshkruan këtë si një “politikë të jashtme më të diversifikuar”. Megjithatë, kjo qasje ka sjellë polemika, si shkarkimi i drejtorit të muzeut të gjenocidit armen pasi i dhuroi JD Vance një libër mbi masakrat ndaj armenëve nga Azerbajxhani, apo heqja nga pasaportat armene e imazhit të malit Ararat- simbol kombëtar që sot ndodhet brenda territorit turk.
Sondazhet e para tregojnë se Civil Contract mund të fitojë sërish, një arritje e habitshme për një forcë politike që ka kaluar dy humbje të rënda ushtarake ndaj Azerbajxhanit në vitet 2020 dhe 2023. Humbja e dytë solli zhvendosjen e menjëhershme të mbi 100 mijë armenëve nga Nagorno-Karabaku. Shumë prej tyre jetojnë sot në Yerevan dhe kanë frikë për trashëgiminë e tyre kulturore.
Fushata elektorale pritet të jetë e ashpër. Pashinyani, shumë aktiv në Facebook dhe me një stil energjik komunikimi, publikon vazhdimisht video të jetës së përditshme, por njëkohësisht përfshihet shpesh në debate të ashpra me opozitën, të cilën e akuzon si të kontrolluar nga fuqitë e huaja.
Një nga rivalët kryesorë është biznesmeni ruso-armen Samvel Karapetyan, lider i partisë Stronger Armenia dhe themelues i grupit Tashir. Ai e akuzon Pashinyanin për tradhti ndaj interesave kombëtare dhe paralajmëron se Armenia rrezikon të bëhet “jo provincë e Rusisë, por provincë e Azerbajxhanit”.

Aktivistë të të drejtave të njeriut, si Kenneth Roth, kanë paralajmëruar se populizmi i Pashinyanit po afrohet me autoritarizmin dhe kanë kritikuar mbështetjen e fortë që liderë europianë, si Emmanuel Macron, i japin atij.
Ndërkohë, Rusia po përpiqet të ruajë ndikimin në Armeni. Vladimir Putin ka sugjeruar mbajtjen e një referendumi për të zgjedhur mes Bashkimit Europian dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Moska. Kjo lëvizje shihet si përpjekje për të polarizuar elektoratin para zgjedhjeve.
Në anën tjetër, Macron ka akuzuar Rusinë për tradhti ndaj Armenisë gjatë luftës në Nagorno-Karabak. Një simbolikë e fortë ishte edhe takimi mes Pashinyanit dhe Volodymyr Zelenskyy, ku të dy liderët komunikuan në anglisht dhe jo në rusisht-një sinjal i qartë i distancimit politik nga Moska.
Megjithatë, përfaqësues të Civil Contract insistojnë se afrimi me Europën nuk do të thotë kërkim i një “shpëtimtari” të ri. “Po dalim nga mentaliteti se Rusia do të na shpëtojë. Nuk presim që Bashkimi Europian të zgjidhë të gjitha problemet tona. Nuk kemi nevojë për shpëtimtarë”, deklaroi deputetja Maria Karapetyan./ Burimi: The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje