Nga Destemona Çelo*- Pse ndjeni një presion të tillë në kraharor që nuk ju lejon të merrni frymë lirshëm? Dhe pse mendimet tuaja janë të mbushura me frikë dhe shqetësim?
Ankthi i tepruar që ndërhyn në cilësinë e jetës vazhdon të mbetet një enigmë për shumë njerëz. Madje, ndonjëherë ai shfaqet pa një shkak të qartë dhe errëson e deformon gjithçka me hijen e tij të gjatë.
Në fakt, kërkimet mbi shëndetin mendor paralajmërojnë se mbi 10% e popullsisë vuan nga ankthi kronik. Për më tepër, shumë njerëz bien pre e kësaj gjendjeje pa pasur mjetet e duhura për ta përballuar. Shpesh, ata as nuk kërkojnë ndihmë profesionale. E heshtin ankthin e tyre dhe lejojnë kohën të kalojë derisa, për shembull, të shfaqet kriza e parë e panikut.
Ankthi shpesh shfaqet edhe pa një shkak të dukshëm, sepse është rezultat i ndërveprimit mes faktorëve biologjikë, psikologjikë dhe të jetës së përditshme.
Në thelb, disa njerëz kanë një predispozitë biologjike më të lartë (gjenetika, ndjeshmëria e sistemit nervor, disbalanca në neurotransmetues si serotonina), që e bën sistemin e alarmit të trurit më reaktiv dhe më të prirur të “mbivlerësojë rrezikun”.
Një rol të rëndësishëm luan edhe personaliteti, ku tipare si perfeksionizmi, vetëvlerësimi i ulët, pasiguria dhe prirja për kontroll e rrisin ndjeshmërinë ndaj ankthit.
Po ashtu, ngjarjet stresuese të jetës, si problemet familjare, vështirësitë ekonomike, puna e paqëndrueshme apo përvojat traumatike të fëmijërisë, mund të grumbullohen dhe të shndërrohen në ankth kronik të vazhdueshëm.
Në disa raste, ankthi lidhet edhe me sëmundje kronike apo varësi, të cilat rrisin ndjesinë e pasigurisë dhe humbjes së kontrollit.
Nga perspektiva klinike, ankthi nuk duhet reduktuar në një “gjendje nervozizmi”, por të kuptohet si një proces multifaktorial që ndikon në funksionimin emocional, konjitiv dhe fizik të individit. Simptomat e tij shpesh manifestohen përmes tensionit të vazhdueshëm, hipervigjilencës, mendimeve katastrofizuese, shqetësimeve somatike dhe ndjesisë së humbjes së kontrollit.
Për këtë arsye, identifikimi i faktorëve që e predispozojnë dhe e mirëmbajnë ankthin përbën një hap thelbësor në procesin e trajtimit dhe menaxhimit të tij. Ndërhyrja psikologjike, rritja e vetëdijes emocionale dhe zhvillimi i mekanizmave funksionalë të përballimit janë elementë kyç për reduktimin e simptomatologjisë dhe përmirësimin e mirëqenies psikologjike.
Ndjesia e padurueshme e të jetuarit me ankth zakonisht ka shkaqe dhe mekanizma që e shpjegojnë. Megjithatë, përtej arsyeve, ekziston diçka edhe më e rëndësishme: strategjitë për ta menaxhuar atë. Nuk mund të jetoni plotësisht pa ankth, sepse ai nuk zhduket, është pjesë e natyrës njerëzore. Por mund ta njihni, ta kuptoni dhe, përmes kësaj, ta kontrolloni.
*Destemona Çelo është psikologe klinike, autore e librit: Abuzimi seksual tek fëmijët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje