Nga një histori hakmarrjeje me humor të zi deri te një reflektim i ndjerë mbi miqësinë, këto janë disa nga veprat më të vlerësuara të letërsisë artistike të këtij viti deri tani.
Yesteryear – Caro Claire Burke
Romani debutues i Caro Claire Burke është cilësuar nga Vogue si “guximtar, i çmendur dhe i shkruar me zgjuarsi”. Në këtë thriller satirik, influencerja Natalie, e fiksuar pas stilit “tradwife”, zgjohet papritur në vitin 1855, në një fermë të rrënuar. Shumë shpejt ajo përballet me realitetin e ashpër të jetës rurale në shekullin XIX. LA Times e përshkruan librin si “një version therësisht komik dhe herë pas here prekës të kontrastit mes Instagramit dhe realitetit”. Ndërkohë, Natalie cilësohet si “një protagoniste që nuk pëlqehet lehtë, por pikërisht për këtë duket kaq njerëzore”. Romani pritet të adaptohet në film, me Anne Hathaway në rolin kryesor dhe si producente.
Transcription – Ben Lerner
Në këtë roman, një shkrimtar anonim udhëton nga Nju Jorku në Providence për të intervistuar Thomasin, një shkrimtar dhe regjisor 90-vjeçar, dikur mentor i tij. Situata bëhet dramatike kur telefoni i tij prishet pak para intervistës, duke e lënë pa mundësinë për të regjistruar bisedën. Libri shndërrohet në një meditimi mbi teknologjinë, kujtesën dhe mënyrën si tregohen historitë. The Guardian e quan “kompleks, të çuditshëm dhe nganjëherë mahnitësisht realist”.
Look What You Made Me Do – John Lanchester
The Times e përshkruan romanin e pestë të John Lanchester si “ligësi e pastër plot kënaqësi”. Kjo komedi e zezë trajton tradhtinë, hakmarrjen dhe xhelozinë përmes historisë së Kate, një grua e pasur e brezit “boomer”, dhe Phoebe, një skenariste më e re. Konflikti shpërthen kur Kate zbulon se sekretet intime të martesës së saj 30-vjeçare janë përdorur në një serial televiziv të suksesshëm.
The Keeper – Tana French
Autorja bestseller Tana French rikthehet me pjesën e fundit të trilogjisë së saj. Romani ndjek ish-policin Cal Hooper, i cili jeton në një fshat imagjinar irlandez dhe përfshihet në hetimin e vdekjes së një vajze të re. The Guardian e cilëson librin “të dendur, tërheqës dhe me atmosferë të jashtëzakonshme”.
Departure(s) – Julian Barnes
Në këtë vepër që autori e konsideron si “lamtumirën” e tij letrare, Julian Barnes ndërthur kujtimet me trillimin për të reflektuar mbi dashurinë, plakjen dhe kujtesën. Një nga fijet kryesore të historisë është lidhja mes Stephen dhe Jean, dy ish-të dashuruar që ribashkohen në pleqëri.
Questions 27 & 28 – Karen Tei Yamashita
Romani i parë i autores pas 16 vitesh trajton internimin e emigrantëve japonezë në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore. Titulli i referohet pyetjeve që u bëheshin të burgosurve për të testuar besnikërinë ndaj Amerikës. Libri ndërthur ngjarje reale dhe fiktive për të eksploruar tensionet dhe konfliktet e asaj periudhe.
This is Where the Serpent Lives – Daniyal Mueenuddin
Pas suksesit të tij si finalist i Pulitzerit, Daniyal Mueenuddin rikthehet me një roman që shqyrton pushtetin, klasat sociale dhe trashëgiminë e feudalizmit në Pakistanin modern. Historia ndjek pronarët dhe punonjësit e një ferme familjare përmes rrëfimeve të ndërthurura.
Kin – Tayari Jones
E përzgjedhur nga klubi i librave i Oprah Winfrey, kjo vepër është cilësuar prej saj si “një kryevepër që reflekton mbi kuptimin dhe ndërlikimet e miqësisë”. Historia ndjek Vernice dhe Annie, dy vajza të rritura bashkë në Luizianën e viteve 1950, rrugët e të cilave ndahen me kalimin e kohës.
The Things We Never Say – Elizabeth Strout
Fituesja e Pulitzerit, Elizabeth Strout, sjell historinë e Artie Dam, një mësues historie në shkollë të mesme që përballet me vetminë dhe një sekret që i ndryshon jetën. The Guardian shkruan se romani është plot “mistere të pafundme njerëzore”.
The Palm House – Gwendoline Riley
I cilësuar nga The Times si “plot dhimbje dhe humor”, romani fokusohet te Laura Miller dhe Edmund Putnam, dy kolegë të moshës së mesme që kalojnë kohën duke biseduar nëpër pub-et e Londrës. Kujtimet e tyre personale dhe dialogët e mprehtë kanë marrë vlerësime të shumta nga kritika letrare./bbc
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje