Gazeta Si – Dua Lipa nuk është thjesht një mbretëreshë globale e muzikës pop. Mes disqeve të shitura, hiteve që kryesojnë top listat, një dasme përrallore në Sicili dhe titujve kryesorë të tabloidëve, ajo po krijon një identitet që largohet gjithnjë e më shumë nga stereotipet bashkëkohore të të famshmëve, duke e transformuar pasionin e saj për letërsinë në një projekt të prekshëm kulturor.
Pas lançimit të Klubit të Librit Service95, këngëtarja me origjinë shqiptare, po e ngre standardin edhe më lart me krijimin e Bibliotekës Manifesto – një bibliotekë e dedikuar për librat e censuruar në të gjithë botën.
Iniciativa buron nga një bashkëpunim me librarinë historike Livraria Lello në Porto të Portugalisë – e konsideruar gjerësisht si një nga më të bukura në botë – dhe shërben si një zgjatim natyror i projektit botues “Service95”, platforma përmes së cilës Dua Lipa ka mbështetur prej kohësh leximin, analizat e thella dhe bisedat me shkrimtarë ndërkombëtarë.
Veprat – “Manifesto Library”, bashkon vepra që – në vende dhe epoka të ndryshme – janë ndaluar, hequr nga raftet ose penguar nga censura për arsye politike, fetare ose sociale.
Është një arkiv që shërben si kujtesë se liria për të lexuar është, edhe sot, një e drejtë që është larg të qenit e garantuar.
“Është një homazh për autorët, guximi i të cilëve ekspozon strukturat e pushtetit dhe kontrollit”, shpjegoi Dua Lipa, duke theksuar se si letërsia është një nga mjetet më efektive për të sfiduar narrativat dominuese dhe për të mbrojtur të menduarit kritik.
Një pasion i hershëm – Kjo nuk është hera e parë që Dua Lipa ka treguar se i konsideron librat një pjesë integrale të identitetit të saj publik.
Përmes Klubit të Librit Service95, ajo ka intervistuar disa nga autorët më tërheqës në skenën bashkëkohore, duke ndihmuar në sjelljen e leximit tek një audiencë e re ndërkombëtare që përndryshe nuk do t’i kishte zbuluar këto tituj përmes kanaleve tradicionale.
Duke vepruar kështu, këngëtarja britanike me origjinë shqiptare, zgjedh të investojë në vlerën e ideve.
“Manifesto Library”, nuk është thjesht një bibliotekë, por një manifest kulturor: një hapësirë simbolike që i fton njerëzit të lexojnë pikërisht librat që dikush, diku në botë, është përpjekur t’i heshtë.
“Një ëndërr e bërë realitet” – “Kjo bibliotekë,” deklaroi më tej Dua Lipa, “është një strehë për librat e humbur, për autorët, guximi i të cilëve ekspozon strukturat e pushtetit dhe kontrollit, dhe për lexuesit që refuzojnë t’u thuhet se cilat libra lejohen të lexojnë. Ju ftojmë ta vizitoni dhe të vendosni vetë se çfarë i takon këtyre rafteve. Sepse ndonjëherë, gjëja më subversive që mund të bëni, është të lexoni një libër dhe pastaj të flisni për të”.
Gati njëqind libra janë paraqitur në auditorin e ri kulturor të Livraria Lello, secili i lidhur me katër tema kryesore: pushteti, kontrolli, zëri dhe kujtesa.
‘Manifesto Library”, do të strehojë gjithashtu The Handmaid’s Tale të Margaret Atwood dhe Felon të Reginald Dwayne Betts, së bashku me një përzgjedhje veprash nga Salman Rushdie dhe Olga Tokarczuk.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje