Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia e Inteligjencës Financiare raporton se në pjesën më të madhe të rasteve të targetuara për pastrim parash, ka rezultuar i vështirë identifikimi i burimit real të fondeve.
Gjatë vitit 2025, 83% e hetimeve të nisura kanë ardhur si rezultat i raportimeve për aktivitete të dyshimta (RAD) nga institucionet raportuese, kryesisht banka dhe noterë, dhe jo nga hetime të drejtpërdrejta klasike. Në total, pranë AIF janë dërguar 1.759 raportime RAD, prej të cilave 750 nga bankat, me një rritje vjetore prej 4.5%. Po ashtu, raportimet nga noterët janë rritur me 18%, ndërsa është shënuar një trefishim i raportimeve nga zyrat e këmbimit valutor.
Ndërkohë, vihet re një rënie prej 9.3% e raportimeve nga shoqëritë e transfertave, të cilat megjithatë mbeten një burim i rëndësishëm informacioni për AIF.

Sipas raportit, skemat më të përdorura të pastrimit të parave përfshijnë investimet në pasuri të paluajtshme me burime të paqarta, përdorimin e personave të tretë për fshehjen e pronarëve realë të fondeve, si dhe dhurime apo hua fiktive. Po ashtu, evidentohen depozitime cash me burim të panjohur, transferta të dyshimta brenda dhe jashtë vendit, si dhe qarkullim fondesh mes kompanish të lidhura për të humbur gjurmët e origjinës së parave.
Raporti thekson gjithashtu blerje pasurish nën ose mbi vlerën e tregut, rritje artificiale kapitali në biznese, si dhe përdorimin e mashtrimeve financiare apo kompjuterike që maskohen si të ardhura legale. Një rol të rëndësishëm luan edhe përfshirja e personave të ekspozuar politikisht (PEP), familjarëve apo lidhjeve të tyre në qarkullimin e fondeve, si dhe praktikat e evazionit fiskal përmes faturave fiktive dhe deklarimeve të rreme.
Në rastet kur AIF ka dyshime të bazuara në fakte për pastrim parash ose financim të terrorizmit, mund të urdhërojë bllokimin ose ngrirjen e përkohshme të transaksioneve deri në 72 orë dhe të njoftojë prokurorinë dhe organet e tjera ligjzbatuese. Gjatë vitit 2025 janë lëshuar gjithsej 8 urdhra bllokimi të përkohshëm për llogari bankare me një vlerë totale rreth 793.375 euro, nga të cilat rreth 96% e fondeve janë sekuestruar më pas me vendim të prokurorisë ose gjykatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje