Nga Gazeta ‘Si’- Një deklaratë e Vjosa Osmanit për takimet mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit ka ndezur tensionet politike mes ish-aleatëve.
Osmani ka ngritur dyshime mbi përmbajtjen e bisedave që Kurti, ka zhvilluar në takime të mbyllura me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ish-përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, në Bruksel.
Gjatë një tubimi me qytetarë në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ajo tha se Kurti nuk i ka treguar as Presidencës së Kosovës, as deputetëve, përmbajtjen e bisedave në kuadër të dialogut, duke paralajmëruar se pas ciklit të ri zgjedhor, do të iniciojë formimin e një komisioni parlamentar për të zbardhur detajet e bisedës Kurti-Vuçiç.
Ky reagim i Osmanit erdhi pas sulmeve të Lëvizjes Vetëvendosje për një takim në të cilin pjesëmarrës krahas Osmanit ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, dhe ish-emisari amerikan për dialogun, Richard Grenell, të mbajtur më 2025 në Nju Jork.
“Pyetja nuk është çfarë kam folur unë në një takim publik me dhjetëra njerëz. Pyetja është çfarë ka folur ai vetëm me Vuçiçin dhe Lajçakun në një dhomë, ku nuk ka qenë askush tjetër. A e dini ju? As unë nuk e di. Kam qenë presidente e Kosovës dhe nuk më kanë treguar. A nuk mendoni se e kanë detyrim të dalin para qytetarëve?
Vetëm në një dhomë kanë qenë kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë dhe ai Lajçak Epsteini. Kjo është pyetja”, ka thënë Osmani.

Akuza për mungesë transparence ndaj kryeministrit Albin Kurti kanë sjellë reagime të ashpra nga drejtuesit e VV-së, të cilët i konsiderojnë pretendimet e Osmanit pjesë të retorikës elektorale në prag të zgjedhjeve.
Në emisionin “Debat Plus”, Glauk Konjufca reagoi ndaj deklaratave të Osmanit, duke mohuar kategorikisht pretendimet për takime sekrete.
“Ajo ka qenë në dhomat e negociatave në Bruksel dhe normalisht ka qëndruar me orë të tëra aty. Çfarë po ndodh tani është se Osmani po dëshiron t’i përdorë dy tema- Amerikën dhe Serbinë. Ajo po përpiqet ta mbrojë Amerikën nga Albin Kurti, si dhe ta frikësojë popullin me Serbinë. Sikurse PDK-ja dhe LDK-ja i kanë humbur zgjedhjet me këto dy tema, do t’i humbin sërish”, ka thënë Konjufca.
Takimi i fundit publik i nivelit të lartë në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç është mbajtur më 14 shtator 2023.
Që nga ajo kohë, nuk ka pasur takime mes tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, kryesisht për shkak të tensioneve pas sulmit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje