Nga Gazeta ‘Si’– Kostot e larta fillestare, problemet me menaxhimin e mbetjeve radioaktive dhe kujtimet nga aksidente të rënda kanë bërë që Europa të tregojë hezitim ndaj energjisë bërthamore në dekadat e fundit.
Megjithatë, mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit gjatë përplasjes SHBA-Iran ka nxjerrë në pah sa e brishtë është Europa ndaj ndërprerjeve të furnizimeve me energji dhe energjia bërthamore mund të shfaqet si një zgjidhje shpëtimi.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) Fatih Birol, ka deklaruar më herët se energjia bërthamore pritet të marrë një shtysë nga kriza e furnizimit, duke u bërë thirrje qeverive të forcojnë rezistencën përmes burimeve alternative.
Energjia bërthamore prodhon shumë më pak emetime sesa lëndët fosile, kërkon hapësirë minimale dhe është tepër e qëndrueshme pavarësisht kushteve të motit. Sipas Chris Seiple, ajo duhet të luajë një rol të madh në zgjidhjen e krizës energjetike të Europës.
SHBA, Kina dhe Franca janë më të përgatitura për të përballuar goditjen e furnizimit, pasi janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të energjisë bërthamore në botë. Siç thekson Michael Broëne, vendet pa burime natyrore energjie përballen me kosto më të larta importi ose detyrohen të investojnë në energjinë bërthamore.
Franca është shembulli më i qartë në Europë, duke siguruar mbi 60% të nevojave energjetike nga centralet bërthamore, gjë që e mban çmimin e energjisë më të ulët krahasuar me vende si Gjermania.
Ndërkohë, edhe vende të tjera po rishikojnë strategjitë e tyre.

Ministri i klimës i Koreja e Jugut, Kim Sung-hwan, e cilëson këtë krizë si një pikë kthese, ku energjia bërthamore dhe ajo e rinovueshme do të jenë dy shtyllat kryesore të furnizimit në të ardhmen.
Kjo shton presionin mbi vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, të cilat për dekada kanë mbyllur reaktorë, që të rishqyrtojnë rikthimin tek energjia bërthamore për të garantuar më shumë siguri energjetike.
Një perspektivë afatgjatë
Analistët theksojnë se diversifikimi është çelësi i sigurisë energjetike. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 energjia bërthamore përbënte vetëm 11.8% të miksit energjetik të Europës, ndërsa nafta dhe gazi mbeten mbi një të tretën.
Adnan Shihab-Eldin argumenton se disa vende, si Gjermania, kanë vendosur ideologjinë përpara pragmatizmit duke hequr dorë nga energjia bërthamore.
Megjithatë, ndërtimi i centraleve kërkon kohë të gjatë. Projekti Hinkley Point C në Britani, i nisur në 2016, pritet të përfundojë vetëm në fund të dekadës dhe do të furnizojë rreth 6 milionë njerëz. Ndërsa Flamanville 3 në Francë u deshën 17 vite për të hyrë në funksion.
Ekspertët paralajmërojnë se deri në momentin që një central i ri bërthamor bëhet operacional, peizazhi energjetik mund të ketë ndryshuar ndjeshëm, ndërkohë që projektet e energjisë së rinovueshme mund të realizohen shumë më shpejt.
Një tjetër sfidë mbetet kostoja. Sipas analistëve, vendet jashtë Europës dhe SHBA-së kanë arritur të ndërtojnë centrale më me kosto konkurruese, shpesh falë teknologjisë më të lirë nga Kina por bashkëpunimi me të mbetet politikisht i ndërlikuar.
Perceptimi publik
Dy katastrofat më të mëdha bërthamore në histori- Katastrofa e Çernobilit dhe Katastrofa e Fukushimës kanë ndikuar thellë në perceptimin publik, duke shtyrë shumë qeveri të mbyllin centralet.
Megjithatë, krizat e fundit energjetike duket se po ndryshojnë qëndrimet.
Energjia bërthamore shihet gjithnjë e më shumë si një burim “i brendshëm”, më pak i ekspozuar ndaj tensioneve gjeopolitike dhe luhatjeve të çmimeve. Sipas ekspertëve, e ardhmja e saj në Europë do të varet jo vetëm nga investimet dhe teknologjia, por edhe nga edukimi i publikut dhe gatishmëria politike për të marrë vendime afatgjata./ Marrë nga CNBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje