Gazeta Si – Policia e Vlorës ka zbardhur dinamikën vrasjes së biznesmenit Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e të enjtes në lokalin në pronësi të tij në fshatin Gjashtë në dalje të Sarandës.
Kështu, policia njofton se 5 persona janë shpallur në kërkim, ndërsa 1 tjetër është shoqëruar, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e 66-vjeçarit.
Autor i vrasjes është Lulzim Tabaku, i cili vijon të jetë në arrati së bashku me Idriz Çela, Eljo Muço, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, të cilët akuzohen për kanosje e shkatërrim të pronës.
Shkak është bërë një konflikt që miku i 66-vjeçarit, Viktor Ruçi, i cili ndodhej në lokal, kishte me një tjetër person për çështje pronash në zonën e bregdetit.
Teksa Ruçi ishte në tavolinë me Rexhep Ismailin dhe me disa persona të tjerë, 6 vetë kanë mbërritur në lokal, ku menjëherë ka nisur një përplasje e ashpër fizike që ka përfunduar në shkrehjen e armëve dhe vrasjen e 66-vjeçarit me 1 plumb në kokë.
Në polici është shoqëruar 31-vjeçari Kostandin Vogli, i dyshuar si personi që ishte në konflikt me Ruçin. Ai është dërguar në spital për ndihmë mjekësore pasi ka mbetur i plagosur në këmbë.
Rreth orës 21:30, në lokalin e Rexhep Ismailit, mbërriti një grup prej 6 personash, pasi i kishte thirrur Kostandin Vogli, i cili kishte informacion se te karburanti dhe lokali i vëllezërve Ismaili ndodhej 50-vjeçari Viktor Ruçi, me origjinë nga Tepelena dhe banues në fshatin Gjashtë.
Në sherr e sipër, Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me kallashnikov, duke hapur zjarr disa herë, ku ka mbetur i plagosur Kostandin Vogli.
Ndërsa autori i dyshuar, Lulzim Tabaku, e ka qëlluar me pistoletë me plumb në kokë Ismailin. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.
Vëllai i Rexhep Ismailit ka fshehur armën automatike, me të cilin 66-vjeçari qëlloi në drejtim të grupit me 6 persona, tashmë e gjetur dhe e sekuestruar nga policia së bashku me një krehër me 21 fishekë.
Ndërkohë është sekuestruar një automjet tip ‘Audi Q8’ i dyshuar si i përdorur nga të dyshuarit dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.
Sakaq, në fshatin Nivicë është gjetur i braktisur motomjeti me të cilin dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes autori Lulzim Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje