Drejtësia

Shtyhet gjyqi Veliaj-Dado, kryebashkiaku kërkon të njihet me provat e KLP-së (foto)

Gazeta Si – Gjykta Administrative vendosi të shtyjë në 19 qershor gjyqin, ku kryebashkiaku Erion Veliaj ka paditur Ols Dadon lidhur me ligjshmërinë e emërimit të tij si prokuror në vitin 2008.

Gjykata, duke marrë parasysh që pala e paditur (KLP), paraqiti prapësimet e reja në këtë seancë dhe pala paditëse (Veliaj) kërkoi kohë për t’u njohur me provat, vendosi që seanca të shtyhet pas rreth një muaji e gjysmë.

Pak para nisjes, gjyqtari Hazbi Balliu vendosi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllur pa praninë e kamerave, sië kishte kërkuar kryebshkiaku.

Ndërsa në sallë u lejuan vetëm gazetarët, duke pranuar kërkesën e avokatit të Dados, i cili nuk ishte i pranishëm në Gjykatën Administrative.

Gjyqtari Balliu theksoi se sa herë gjykata të shpallë vendime të ndërmjetme ose vendime perfundimtare, gjykata do t’i lejojë kamerat.

“Regjistrimin dhe transmetimin e pjesshëm të seancës, në çelje dhe në pjesë të seancës kur të japë vendime. Kamerat duhet të regjistrojnë palën paditëse ose gjykatën, jo të tjerë. Gazetarët mund të jenë të pranishëm dhe të mbajnë shënime, por jo regjistrime. Kamerat të fiken dhe mos të regjistrohet”, tha gjykatësi Balliu.

Veliaj ishte i pranishëm në seancë, ndërsa kur mbërriti në ambientet e gjykatës me pranga, në duar mbante një libër të autores Naomi Alderman, që titullohej “Mos digjni askënd në turrën e druve sot”. Në seancë në mbështetje të Veliajt kanë shkuar edhe dy aktorët, Robert Ndrenika dhe Gaz Paja.

Në seancë është diskutuar gjithashtu edhe roli i institucioneve të tjera në këtë proces, përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), për të cilin është ngritur pretendimi se ka ndikuar në mosshqyrtimin në themel të çështjes.

Kryebashkiaku Veliaj, reagoi në lidhje me kërkesën e KLP, që ai të mos legjitimohet si palë paditëse. Ai tha se po pretendohet se ai nuk ka të drejtën t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që i hoqi lirinë personale.

Sipas tij, qytetari mund të hetohet, survejohet apo edhe t’i ndërpritet mandati, por nuk mund të kërkojë verifikimin e autoritetit që ushtron këtë pushtet ndaj tij.

“Me vendimin e ndërmjetëm prisja të kishte transparencë, ky proces ka lulëzuar në errësirë. KLP duhet të mbronte gazetarët, të mbronte veten e vet. KLP ka kthyer një përgjigjie se kush është caktuar para nesh, të gjithë duhet të kërkonim transparencë. Ka një palë që do errësirë dhe një palë që do dritë”, – u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Në këtë moment, Gjykata ndërpreu Veliajn dhe i kërkoi të qëndrojë brenda objektit të gjykimit.

“Kam mbi 15 muaj që jam në një realitet që nuk e imagjinoja. Kjo është situatë që përshkruhet ndoshta nga një penë si e Dostojevskit. Pas zgjedhjes time për herë të tretë si kryetar i Bashkisë Tiranë, jam gjendur në sulme të vazhdueshme. Unë vijoj dhe mbahem në paraburgim me kokëfortësi, është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Mua më është bërë Vetting. Jashtë çdo standarti normal proporcionaliteti. Kam shkuar me këmbët e mia në birucë. Kërkova kamerat live në këtë seancë, për trasparencë. Për dy vite u përdor çdo mekanizëm, politik, mediatik dhe juridik, për të më mbajtur në birucë”, – vijoi Erion Veliaj në Gjykatën Administrative .

Ai pretendoi se edhe gjatë këtij procesi ndodhet në një paradoks, ku sipas tij edhe SPAK kërkon që gjykata të mos e shqyrtojë pretendimin e tij në themel. Sipas Veliajt, ai po kërkon të dijë se me çfarë legjitimiteti prokurorët i kanë kontrolluar jetën private.

Pas seancës, avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, u shpreh se nga e gjithë panorama e fakteve që u parashtruan, e bën ekipin e Veliajt të besojë që ka presion të ushtruar institucional.

“Besoj se doli e qartë që ka një presion të shtuar në këtë çështje. Ka shkresë nga KLP, ndërkohë që KLP nuk ishte mbledhur. Kërkuam që kamerat të jenë prezentë dhe u refuzua. E gjithë kjo panoramë faktesh, na e shton dyshimin që jemi në një situatë që kemi një presion të jashtëzakonshëm institucional. Kontestimi ynë nuk ishte me përfaqësuesen, por me target që ajo ka”, tha ndër të tjera Ndreca.

Veliaj e ka paditur Ols Dadon në Gjykatën Administrative se nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, duke mos plotësuar kështu kushtet ligjore për t’u kualifikuar dhe emëruar në detyrën e prokurorit.

Sipas avokatit Plarent Ndreca, nga provat e paraqitura në gjykim rezulton se edhe Presidenti i Republikës, në momentin e dekretimit të Ols Dados si prokuror, nuk ka kryer verifikime të plota mbi përmbushjen e kushteve ligjore.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej datës 10 shkurt të vitit të kaluar. Mbi të rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg, akuza që janë hedhur poshtë prej tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë