Shendet

Çfarë është hantavirusi, infeksioni që ka vrarë tre persona në një anije turistike?

Tre pasagjerë në një anije turistike në Oqeanin Atlantik kanë vdekur pas një shpërthimi të dyshuar të hantavirusit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Shpërthimi u raportua në anijen turistike polare MV Hondius, e cila po udhëtonte midis Argjentinës dhe Kepit të Gjelbër.

Çfarë është hantavirusi, virusi i rrallë që dyshohet se ka shkaktuar shpërthimin në anijen turistike?

Ortohantaviruset, më të njohura si hantaviruse, janë një grup virusesh që gjenden kryesisht te brejtësit, por që mund të infektojnë njerëzit.

Sipas Prof. Adam Taylor të Universitetit të Lancaster, ekzistojnë të paktën 38 lloje të njohura të hantavirusit në nivel global, 24 prej të cilave shkaktojnë sëmundje te njerëzit. Brejtësit si minjtë, janë rezervuarët natyrorë për viruset.

Dr. Yomani Sarathkumara, shkencëtar, thotë se infeksionet me hantavirus ishin “shumë të rralla te njerëzit” dhe shpesh diagnostikoheshin gabimisht në vendet tropikale si infeksione të tjera, të tilla si leptospiroza, e cila përhapet edhe nga kafshët.

Si përhapet virusi dhe cilat janë simptomat e hantavirusit?

Hantaviruset përhapen te njerëzit nëpërmjet ajrit ose kontaktit me jashtëqitjet, urinën dhe pështymën e brejtësve të infektuar- ose, më rrallë, nëpërmjet kafshimeve dhe gërvishtjeve nga kafshët e kontaminuara.

“Komunitetet bujqësore në të gjithë botën janë në rrezik më të lartë”, tha Sarathkumara, si rezultat i gjasave më të larta të ekspozimit ndaj brejtësve të infektuar.

Profesori Vinod Balasubramaniam, virolog tha se hantaviruset ishin “zakonisht një ekspozim mjedisor i lidhur me brejtësit” dhe “zakonisht nuk përhapen lehtë nga një person në tjetrin në mënyrën që ndodh me gripin ose Covid-19”.

Ekzistojnë dy linja kryesore të hantaviruseve: hantaviruset e botës së vjetër dhe hantaviruset e botës së re.

Hantaviruset e botës së vjetër gjenden në Europë dhe Azi, këto përfshijnë hantavirusin puumala, virusin Hantaan dhe virusin Seul. Tek njerëzit, ato zakonisht shkaktojnë ethe hemorragjike me sindromën renale (HFRS), e cila prek veshkat. Simptomat mund të përfshijnë dhimbje koke të forta, dhimbje shpine dhe barku e ethe si dhe dëmtime të mundshme të veshkave.

Hantaviruset e botës së re gjenden në Amerikë dhe zakonisht shkaktojnë sindromën pulmonare të hantavirusit. Lloji më i zakonshëm në Amerikën e Jugut është virusi i Andeve, i cili përhapet kryesisht nga minjtë.

“Hantaviruset e botës së re shkaktojnë sindromë pulmonare që përparon me shpejtësi dhe dështim të frymëmarrjes”, tha Balasubramaniam.

Në fillim, një infeksion mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin, të tilla si ethe, lodhje dhe dhimbje muskujsh, gjë që e bën “diagnozën e hershme shumë të vështirë”, tha ai.

Në mars të vitit 2025, Betsy Arakaëa, gruaja e aktorit Gene Hackman, u zbulua se kishte vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe nga sindroma pulmonare e hantavirusit, para vdekjes së burrit të saj, i cili kishte sëmundjen Alzheimer, në mungesë të kujdesit të saj.

Hantaviruset mund të kenë periudha të gjata inkubacioni- midis një dhe tetë javësh, tha Balasubramaniam.

Sipas Taylor, një numër i vogël studimesh kanë dokumentuar përhapjen nga njeriu te njeriu të llojit të Andeve në Amerikën e Jugut, por një rishikim sistematik i hulumtimit nuk gjeti prova të mjaftueshme të transmetimit nga njeriu te njeriu.

Si ndodhi shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike?

OBSH thotë se është hapur një hetim mbi shpërthimin e dyshuar të hantavirusit ndërkohë që ka disa arsye pse mund të ketë ndodhur.

E para është mundësia e kontaminimit nga brejtësit në vetë anijen, nëse brentësit e infektuar kanë pasur qasje në zonat e magazinimit, kabina apo hapësira të tjera.

E dyta është nëse virusi është përhapur në anije apo nëse një person i infektuar ka hipur në anije.

Shpërthimi mund të mos ketë origjinën domosdoshmërisht nga vetë anija por pasagjerët ose anëtarët e ekuipazhit mund të jenë ekspozuar gjatë aktiviteteve tokësore.

E treta- por më pak e mundshme- është transmetimi nga personi në person.

“Kjo është teorikisht e besueshme, por është shumë e pamundur,” tha Balasubramaniam.

Cila është shkalla e vdekshmërisë për hantavirusin? A ka ndonjë trajtim?

Shkalla e vdekshmërisë nga HFRS, e shkaktuar nga hantaviruset e botës së vjetër, vlerësohet të jetë midis 1% dhe 15%.

“Hantaviruset e botës së re shkaktojnë simptoma shumë më të rënda dhe shanset e vdekshmërisë janë shumë, shumë më të larta”, tha Balasubramaniam.

Sindroma pulmonare e Hantavirusit ka një shkallë vdekshmërie prej rreth 40% në Amerikë.

Ndërkohë nuk ka një ilaç antiviral përfundimtar që funksionon mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë