Nga Gazeta ‘Si’- Banka e Shqipërisë ka miratuar disa vendime të reja, që synojnë të rrisin sigurinë dhe integritetin e sistemit financiar në vend.
Ndër pikat kryesore është ajo e reputacionit, ku çdo person që drejton apo administron një subjekt financiar duhet të kalojë në sitë, nga dëshmia e penalitetit, tek borxhet dhe përmbarimi.
Një tjetër zhvillim me rëndësi është lufta kundër anonimatit, pasi Banka e Shqipërisë kërkon tashmë identifikimin e plotë të pronarit përfitues deri te individi i fundit, duke ndaluar fshehjen pas kompanive zinxhir. Kontrolli shtrihet edhe te rrethi i ngushtë (bashkëshortë, fëmijë, prindër, vëllezër). Ky rregull synon të parandalojë përdorimin e familjarëve si “maskë” për të fshehur pronësinë e vërtetë.
Ky proces kontrolli bëhet edhe më i rreptë përmes bashkëpunimit me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, e cila do të skanojë çdo qindarkë që hyn si kapital për të garantuar se ajo nuk buron nga aktivitete të paligjshme.
Për më tepër, rregulloret e reja vendosin barriera të pakalueshme për ata që kanë dështuar më parë, duke saktësuar se nëse një subjekti i revokohet licenca një herë, ai humbet përgjithmonë të drejtën për të riaplikuar.
Për pikat e këmbimit valutor kërkohet një kapital më i lartë dhe i qëndrueshëm që mbron aktivitetin nga luhatjet e tregut. Kapitali minimal për të hapur një pikë këmbimi valutor është saktësuar në 5 milionë lekë, dhe ky kapital duhet të qëndrojë i paprekur nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Në tërësi, këto vendime krijojnë një mjedis financiar më transparent ku përgjegjësia individuale dhe pastërtia e kapitalit janë kushtet kryesore për të qëndruar në treg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje