Menaxhim

Ligji i ri/ Qytetarët shqiptarë mund të prodhojnë dhe shesin energji

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria po riformulon kuadrin ligjor të sektorit energjetik, duke përfshirë mekanizma të rinj në prodhimin e energjisë dhe menaxhimin e krizave të mundshme.

Një nga ndryshimet e parashikuara në draftin e ri është mundësia e prodhimit të energjisë në mënyrë individuale ose në komunitet. Për herë të parë ligji njeh nocionin “klient aktiv”, i cili i referohet një klienti ose grupi klientësh që konsumon, prodhon dhe depoziton energji elektrike të gjeneruar brenda ambienteve të tij, brenda kufijve të caktuar ligjorë. Ky subjekt mund të shesë energji të vetëprodhuar ose të marrë pjesë në skema fleksibiliteti dhe eficience energjetike, me kusht që këto aktivitete të mos përbëjnë veprimtarinë e tij kryesore tregtare apo profesionale.

Kështu, krijohet koncepti i “komunitetit energjetik të qytetarëve”. Në thelb, kjo reformë synon të krijojë struktura ku qytetarët mund të prodhojnë energji, ta konsumojnë vetë, ta ruajnë, ta ndajnë me njëri-tjetrin brenda komunitetit dhe madje ta shesin në tregun e energjisë.

Sipas Ministrisë përgjegjëse për energjinë, ky model synon të nxisë përdorimin e burimeve të rinovueshme dhe të ulë varësinë e familjeve nga prodhuesit e mëdhenj të energjisë.

Në këtë kuadër, Enti Rregullator i Energjisë ERE luan një rol kyç, duke garantuar akses të drejtë në rrjet, tarifa transparente dhe jo-diskriminuese, si dhe pjesëmarrje të hapur dhe vullnetare për të gjitha subjektet e interesuara.

Më tej, projektligji i konsultuar parashikon edhe rregulla të detajuara për menaxhimin e krizave energjetike. Ministria përgjegjëse do të udhëheqë procesin e vlerësimit të riskut për sistemin energjetik dhe do të bashkëpunojë ngushtë me operatorët e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe me institucione rajonale dhe ndërkombëtare.

Këshilli i Ministrave, nga ana e tij, do të miratojë rregullat për identifikimin e skenarëve të mundshëm të krizave energjetike dhe për mënyrën e hartimit të planeve të vlerësimit të riskut.

Në bazë të këtyre skenarëve, Ministria do të hartojë një “Plan Gatishmërie ndaj Riskut”, i cili do të përfshijë masa për menaxhimin e krizave, ndërhyrje operative, ndërprerje të kontrolluara të energjisë, mbrojtjen e konsumatorëve vulnerabël dhe mekanizma për komunikimin me qytetarët.

Plani i gatishmërisë do të përditësohet çdo katër vjet, ose më shpesh në rast nevoje, me qëllim garantimin e një sistemi energjetik më të përgatitur dhe më rezistent ndaj krizave të mundshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë