Gazeta Si – Për të kuptuar sfidën për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, nevojitet një vështrim mbi hartat gjeografike.
Në pikën e saj më të ngushtë, ky korridor ujor ka një gjerësi rreth 35 kilometra dhe për të paktën rreth 50 kilometra gjatësi, ku cisternat e naftës dhe anijet e mëdha të mallrave kanë shumë pak hapësirë manovrimi.
E njëjta gjë vlen edhe për njësitë luftarake, përfshirë ato amerikane, të cilat, megjithëse të mbrojtura nga teknologjitë më të avancuara ushtarake, duhet të shmangin zonat me ujëra të cekëta, ishujt përgjatë brigjeve iraniane dhe atyre të Omanit.
Ushtarakët iranianë dhe sidomos njësitë elitare të Gardës Revolucionare, të motivuara nga fryma e sakrificës totale e revolucionit islamik shiit, ku konsiderohet turp personal të mos vdesësh si martir në përballjen me armikun “jo-besimtar”, disponojnë armë pak të sofistikuara, por vdekjeprurëse për të imponuar vullnetin e tyre.
Së pari, dronët ajrorë, që shërbejnë si për vëzhgimin e lëvizjeve të armikut, ashtu edhe për sulm, janë të thjeshtë, lehtësisht të ndërtueshëm, kushtojnë shumë pak dhe mbi të gjitha janë në gjendje të ngatërrojnë radarët amerikanë dhe sistemet e tyre shumë të shtrenjta të mbrojtjes detare me raketa dhe dronë kundërdronë.
Imagjinoni makthin e një komandanti amerikan, i cili papritur sheh në radar një valë dronësh kamikazë që brenda pak minutash (ndoshta më pak se 5) të mund të sulmojnë anijet.
Këtyre u shtohen raketa të çdo lloji, madje edhe ato kundërajrore të tipit “Strela” që mund të lëshohen nga supi i një ushtari.
Një tjetër faktor janë skafet e vegjël që mund të arrijnë shpejtësi deri në 200 kilometra në orë, natyrisht nëse ujërat janë të qeta.
Që nga fillimi i agresionit izraelito-amerikan më 28 shkurt, dihet se dhjetëra prej këtyre mjeteve janë shkatërruar nga sulmet ajrore ndërsa ishin të ankoruara në bazat e tyre në brigjet e Gjirit.
Por duket se shumë prej tyre janë shpëtuar, të kamufluara, të ankoruara në gjire të vogla dhe janë përdorur për të qëlluar ndaj anijeve civile gjatë fundjavës së kaluar.
Amerikanët duken në disavantazh të qartë në këtë sfidë të vështirë asimetrike, ku taktikat guerile “godit dhe ik” aplikohen mes valëve dhe mjegullave të krijuara nga nxehtësia e Gjirit.
Pasi kanë neutralizuar një pjesë të madhe të njësive të rënda të marinës iraniane, komandat amerikane tani duhet të rishpiknin sistemet për zbulimin dhe shkatërrimin e një armiku shumë më të dobët, por më të shkathët, të vendosur dhe të fshehur mirë mes detit dhe tokës.
Një vështrim mbi shtatë javët e konfliktit tregon se lufta detare për Hormuzin ka shkaktuar kryesisht viktima civile.
Sipas kompanisë së analizës së rreziqeve detare “Windward”, që nga 28 shkurti janë regjistruar të paktën “68 incidente”, ku janë përfshirë 31 anije tregtare dhe 37 infrastruktura energjetike në det të hapur, si platforma nafte, impiante gazi dhe struktura portuale.
Një e pesta e tregut global të energjisë mbetet e paralizuar. Nga Uashingtoni bëhet e ditur se që nga fillimi i bllokadës së trafikut tregtar iranian dhe porteve të tij, të paktën 27 anije janë ndaluar dhe kthyer mbrapsht.
Veprimi më i rëndësishëm amerikan deri tani ka qenë ndalimi i një anijeje iraniane të mallrave të dielën, ndërsa përpiqej të kalonte nëpër Hormuz.
Teherani përgjigjet se ky “akt piraterie” nuk do të mbetet pa ndëshkim. Vetë Donald Trump ka deklaruar se një njësi raketore amerikane në Gjirin e Omanit i ka urdhëruar anijes iraniane “Touska” të ndalojë.
Më pas, sipas tij në rrjetet sociale, “anija u ndal menjëherë nga zjarri i topave që shkaktuan një çarje në dhomën e motorëve”.
Teherani reagon duke kërcënuar një përgjigje “të përshtatshme”, duke mohuar se në këtë kontekst mund të zhvillohen negociata të rëndësishme paqeje dhe duke shprehur frikën se edhe një herë Shtetet e Bashkuara të Trump mund të përdorin diplomacinë si mbulesë për agresione të mëtejshme ushtarake. Deri pasditen e djeshme raportohej kalimi i vetëm tre anijeve tregtare.
Sipas marinës britanike, të shtunën dy anije mallrash ishin goditur nga iranianët. Duket se një skaf iranian ka hapur zjarr pa asnjë paralajmërim.
Sipas OKB-së, rreth njëzet anije janë goditur në javët e fundit. Para luftës, të paktën 120 anije të mëdha kalonin çdo ditë përmes Hormuzit.
Burimi: “Corriere della Sera”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje