Nga Gazeta ‘Si’- Kur bageta mori statusin zyrtar si pasuri e UNESCO-s në Paris në vitin 2022, delegacioni francez valëviti me krenari bukë të gjata krokante në ajër, në një moment fotografik që u bë viral në gjithë botën.
Presidenti francez Emmanuel Macron e përshëndeti bagetën si “250 gramë magji dhe perfeksion në jetën tonë të përditshme”, duke e shoqëruar me një foto ikonike bardhezi të fotografit Willy Ronis, ku një djalë i vogël francez vrapon i lumtur me një bagetë të gjatë nën krah.
Megjithatë, kjo fitore simbolike – që përfshiu njohjen e mjeshtërisë artizanale të bukëpjekjes franceze dhe kulturës së bagetës si trashëgimi kulturore jomateriale – duket se nuk ka arritur të ndalë rënien e vazhdueshme të konsumit të bukës në Francë.

Madje, media e ushqimit në vend ka ngritur pyetje alarmante si: “A do të zhduket bageta nga tryezat franceze?”
Historikisht, pas Luftës së Dytë Botërore, francezët konsumonin mesatarisht rreth 700 gramë bukë në ditë për person.
Deri në vitin 2015 kjo shifër kishte rënë në rreth 120 gramë, ndërsa sot është ulur në rreth 100 gramë – më pak se gjysma e një bagete në ditë.
Sipas një sondazhi të vitit 2023 nga Konfederata Kombëtare e Bukëpjekësve dhe Pastiçerive Franceze(CNBPF), më shumë se një e treta e të anketuarve (36%) thanë se kanë ulur konsumin e bukës në pesë vitet e fundit.
Ekspertët e industrisë e lidhin këtë trend me ndryshimin e zakoneve ushqimore dhe me një brez të ri “neo-bukëpjekësish”, disa prej të cilëve madje po heqin fare bagetën nga raftet e tyre.
Ndërkohë, po rritet edhe popullariteti i rivalit amerikan të bagetës: buka e bardhë e prerë dhe e përpunuar.
“Një nga kërcënimet është fakti që të rinjtë po humbasin zakonin e blerjes së përditshme të bagetës,” thotë Dominique Anract, president i CNBPF.
Vizitat e përditshme në furrën e lagjes -dikur po aq të zakonshme sa larja e dhëmbëve – janë bërë më të rralla, sidomos tek brezat e rinj, të cilët gatuajnë më pak dhe hanë më shpesh jashtë.
Dikur, edhe studentët gatuanin vetë; nuk kishte snack-e, ushqime ndërkombëtare, burgera, kebab apo sushi. Sot, gjithnjë e më shumë të rinj po orientohen drejt fast food-it.
Tradicionalisht, bageta konsumohej në çdo vakt: në mëngjes me gjalpë dhe reçel, në drekë si sanduiç me proshutë, ton apo djathë, dhe në darkë si shoqërues i pjatave klasike franceze me salcë, ku përdorej për të “fshirë” salcën nga pjata -një zakon që madje ka edhe foljen e vet në frëngjisht, “saucer”.
Por vitet e fundit është shfaqur një ndryshim tjetër i rëndësishëm: rritja e “neo-furrave”, që përdorin drithëra të lashta dhe miell organik, duke prodhuar bukë me maja natyrale dhe fermentim të gjatë – shpesh pa bërë fare bageta.
Për shembull, pastiçeria-bukëpjekje Seize Heures Trente në Rennes ka tërhequr vëmendje sepse nuk shet fare bageta. Pronarja, Marion Juhel, vendosi qëllimisht të mos i përfshijë ato, pasi kërkojnë shumë energji për prodhim, kanë vlera të ulëta ushqyese dhe prishen shpejt, duke çuar në mbetje ushqimore.

Në vend të tyre, ajo shet bukë të mëdha me maja natyrale dhe drithëra të plota, të cilat zgjasin më shumë, treten më lehtë dhe kanë shije më të pasur.
Megjithatë, kjo qasje nuk është pritur gjithmonë mirë -disa klientë janë habitur apo edhe zemëruar nga mungesa e bagetës.
Edhe bukëpjekësi Benoît Castel është pjesë e kësaj lëvizjeje moderne.
Ai prodhon bukë të mëdha tradicionale, duke rikthyer stilin e dikurshëm të pjekjes javore.
Sipas tij, bageta është një shpikje relativisht e vonë e shekullit XX, që u bë popullore për shkak të përgatitjes së shpejtë, por prishet shumë më shpejt se bukët tradicionale.
Ndërkohë, bukëpjekësi Éric Kayser, i cili ka ndërtuar një rrjet global furrash, thekson një problem tjetër: bukët speciale janë shumë më të shtrenjta. Një bagetë e thjeshtë kushton rreth 1 euro, ndërsa bukët artizanale mund të arrijnë deri në 7 euro për 500 gramë.
Megjithatë, ai nuk beson se bageta është në rrezik zhdukjeje. Përkundrazi, format e reja si sanduiçet me bagetë po fitojnë terren, duke kompensuar rënien e shitjeve tradicionale.
Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: kultura franceze e bukës po transformohet, por nuk po zhduket. Siç thotë Anract, furrat kanë kaluar gjithmonë kriza – dhe gjithmonë kanë ditur të rishpikën veten.
Marrë me shkurtime nga CNN/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje