Treg

Fluturimet në rrezik, alarmi i IEA-s: Europa ka edhe 6 javë karburant

Gazeta Si – Europa ka “ndoshta rreth gjashtë javë karburant për avionë”. Ky është paralajmërimi i ngritur nga Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Në një intervistë me “Associated Press”, Birol shprehu shqetësim për anulimet e mundshme të fluturimeve nëse furnizimet me naftë do të mbeten të ndërprera për shkak të luftës me Iranin.

Ai e përshkroi situatën si krizën më të madhe energjetike ndonjëherë, me pasoja potencialisht të rëndësishme globale, duke shpjeguar se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ndikon në naftë, gaz dhe furnizime të tjera jetësore.

Birol parashikon një rritje të çmimeve të benzinës, gazit natyror dhe energjisë elektrike në mbarë botën.
“Kjo është një situatë vërtet kritike dhe do të ketë pasoja të mëdha për ekonominë globale. Dhe sa më gjatë të zgjasë, aq më keq do të jetë për rritjen ekonomike dhe inflacionin në mbarë botën”, tha Birol.

Ndikimi do të jetë “çmime më të larta të benzinës, çmime më të larta të gazit, çmime më të larta të energjisë elektrike”, tha Birol, duke shtuar se disa pjesë të botës do të “goditen më rëndë se të tjerat”.

“Vija e parë janë vendet aziatike”, të cilat varen nga energjia e Lindjes së Mesme, tha ai, duke përmendur Japoninë, Korenë, Indinë, Kinën, Pakistanin dhe Bangladeshin.

“Pastaj do të arrijë edhe në Evropë dhe Amerikë”, shtoi ai. Nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet, tha ai, për Europën, “mund t’ju them se së shpejti do të dëgjojmë lajmin se disa fluturime nga qyteti ‘A’ në qytetin ‘B’, mund të anulohen për shkak të mungesës së karburantit për avionë”.

Në orët e fundit, edhe Evropa ka folur hapur, duke shpjeguar se “aktualisht nuk ka prova për mungesë karburanti në Bashkimin Evropian, por problemet e furnizimit mund të lindin në të ardhmen e afërt, veçanërisht për karburantin e avionëve”, tha zëdhënësja e Energjisë e Komisionit Europian, Anna-Kaisa Itkonen, kur u pyet për masat për të luftuar çmimet e energjisë që ekzekutivi i BE-së pritet të paraqesë më 22 prill.

“Rafineritë e BE-së mbulojnë rreth 70% të konsumit të BE-së, ndërsa pjesa tjetër vjen nga importet”, tha Itkonen, duke shtuar se “furnizimet me naftë bruto për rafineritë e BE-së kanë mbetur të qëndrueshme pa pasur nevojë për lëshime të mëtejshme të stokut për momentin, megjithatë, situata e karburantit të avionëve mbetet shqetësimi ynë kryesor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë