Prodhuesi gjerman i automjeteve të kategorisë “premium”, BMW Group, po investon rreth 2 miliardë euro në prodhimin e automjeteve dhe të baterive në Gjermani, ndërsa shpalos planet për të rikthyer përfitueshmërinë.
Aksionet e BMW-së u rritën me më shumë se 3% pasditen e së mërkurës në Evropë, ndërsa investitorët po shqyrtonin planet më të fundit të prodhuesit gjerman për rimëkëmbje, të cilat u prezantuan para investitorëve dhe analistëve gjatë aktivitetit dyditor “Capital Market Day” (Dita e Tregut të Kapitalit), të mbajtur të martën dhe të mërkurën.
Kjo lëvizje vjen ndërsa prodhuesit gjermanë të automjeteve përpiqen të rikthejnë përfitueshmërinë, në një kohë kur përballen me kostot e kalimit te automjetet elektrike, ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit, çmimet e larta të energjisë dhe konkurrencën e ashpër nga rivalët kinezë.
BMË planifikon të përmirësojë përfitueshmërinë duke thjeshtuar gamën e modeleve, duke shkurtuar kohën e zhvillimit dhe duke bashkëpunuar më ngushtë me furnizuesit.
Gjithashtu, BMW prezantoi planet për të reduktuar me 20% numrin e divizioneve dhe roleve drejtuese përkatëse deri në mesin e vitit 2027, si pjesë e një ristrukturimi më të gjerë. Kompania synon gjithashtu të pakësojë numrin e varianteve të modeleve dhe të përdorë më gjerësisht inteligjencën artificiale (AI), përfshirë në simulimet e përplasjeve dhe sistemet e asistencës për drejtuesin.
Prodhuesi i automjeteve synon të rrisë marzhin operativ të sektorit të automobilave në një nivel midis 3% dhe 5% deri në vitin 2028 dhe të rikthehet te objektivi afatgjatë prej 8-10% deri në fillim të dekadës së ardhshme, gjë që sugjeron një proces të gjatë rimëkëmbjeje.
Investim prej 2 miliardë eurosh në prodhimin gjerman
Në një zhvillim të veçantë, BMW njoftoi se do të investojë rreth 2 miliardë euro në objektet e prodhimit në Gjermani, përfshirë 1 miliard euro për një fabrikë baterish.
“Ne po investojmë në krijimin e vlerës, prodhimin konkurrues dhe sigurinë e vendeve të punës në Gjermani,” deklaroi Raymond Wittmann, shefi i prodhimit në BMË.
Përmes këtij investimi, fabrika e Mynihut, e cila ka një histori mbi 100-vjeçare, po transformohet për të prodhuar vetëm automjete elektrike duke filluar nga viti 2027, përfshirë modelin BMW i3. Njëkohësisht, versionet me motor me djegie të brendshme dhe ato hibride “plug-in” të serisë BMW 3 do të prodhohen në fabrikën e Dingolfing-ut.
BMW theksoi se rreth 760 qendra furnizuesish u dërgojnë komponentë dhe materiale fabrikave të Mynihut dhe Dingolfing-ut. Më shumë se 70% e këtyre qendrave të prodhimit ndodhen në Evropë, ndërsa mbi 30% e tyre janë në Gjermani. Fabrika e re e baterive e prodhuesit të automjeteve në Irlbach-Strabkirchen, Bavari, do të furnizojë bateri me tension të lartë për modelin elektrik BMË i3 duke filluar nga muaji tetor.
Sipas deklaratës së BMË-së, fabrika e baterive pritet të “rrisë krijimin e vlerës rajonale, të sigurojë vende pune të kualifikuara dhe t’i shtojë një vendndodhje të re ekosistemit industrial të Bavarisë së Poshtme.”
Wittmann shtoi se fabrika e re e baterive me tension të lartë në Irlbach-Strabkirchen tregonte se si kompania po e rikthente në Gjermani teknologjinë kyçe të automjeteve elektrike. Ai theksoi se suksesi i vazhdueshëm industrial i vendit varej nga kushtet që mbështesin investimet, inovacionin dhe konkurrueshmërinë.
Fabrika e BMW-së në Steyr, Austri, do të prodhojë komponentë kyç të sistemit elektrik të lëvizjes, si dhe motorë me djegie të brendshme për gamën e re të Serisë 3.
Kompania prodhon më shumë se një milion automjete në fabrikat e saj gjermane çdo vit, shifër që barazohet me një të katërtën e makinave të prodhuara në vend.
BMW po ndjek gjithashtu një qasje “lokale për tregun lokal”, duke prodhuar makina pranë tregjeve që u shërben. Si pjesë e planeve për të zgjeruar prodhimin dhe zhvillimin lokal në Kinë, fabrika e saj në Shenyang do të prodhojë një version të modifikuar të Serisë 3, të përshtatur për blerësit kinezë.
Në Kinë, kompania po redukton gjithashtu rrjetin e saj të shitësve dhe po përdor më shumë komponentë të standardizuar me burim lokal, gjë që mund t’i ulë kostot e këtyre pjesëve me 20% deri në 30%, sipas firmës Bernstein.
Planet e prodhimit të BMW-së vijnë në një kohë kur fitimi i kompanisë po përballet me presion.
BMW lëshoi një paralajmërim për fitimet në muajin qershor. Në korrik, ajo ra dakord për një program vullnetar shkurtimi të vendeve të punës, i cili pritet të reduktojë fuqinë punëtore globale të kompanisë me rreth 8,000 punonjës, sipas agjencisë dpa, e cila citon burime të brendshme të kompanisë.
Sipas një analize, fitimi operativ i grupit ra me 37%, në 3.64 miliardë euro, në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa të ardhurat shënuan rënie prej 8%, rënia më e mprehtë midis 19 prodhuesve të makinave të analizuara. Shitjet e automjeteve të BMW-së në Kinë ranë me 19%, duke tejkaluar rritjen prej 6% në Evropë dhe 4% në SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje