Nga Gazeta ‘Si’- Gjithçka duket sikur po kthehet sërish në vitin 1979. Irani është përfshirë edhe një herë në përballje të drejtpërdrejtë me Perëndimin, ndërsa tensionet gjeopolitike po rriten.
Çmimet e naftës dhe gazit kanë javë që ngjiten, duke reflektuar frikën e tregjeve nga një përshkallëzim i mundshëm i konfliktit.
Në këtë sfond, Moska po përpiqet të përfitojë nga një Shtëpi e Bardhë e shpërqendruar, ndërsa në Uashington, qeveria dhe partia në pushtet po i ndjekin me ankth sondazhet dhe opinionin publik.
Edhe atmosfera kulturore duket sikur po rikthen shenjat e asaj epoke. Moda e viteve ’70 dhe ’80-pantallonat e gjera, kostumet “jumpsuit”-është rikthyer.
Edhe zakone që dukej se ishin zhdukur, si duhani, po rifitojnë një farë pranimi kulturor.
Në botën e argëtimit, Steven Spielberg po shënon sukses me një film të ri për kontaktin njerëzor me jashtëtokësorët, ndërsa paralelisht edhe eksplorimi hapësinor real po rifiton rëndësi strategjike. U2 ka publikuar muzikë të re, dhe madje edhe ekipet sportive që prej kohësh ishin në hije, si Pittsburgh Pirates, po përjetojnë një ringjallje të papritur.
Nëse kjo epokë duket si një rikthim në të kaluarën, Donald Trump duket më i përshtatur se kushdo tjetër për të.
Mënyra e tij e të menduarit dhe e veprimit duket e rrënjosur thellë në frymën e viteve ’80: një periudhë ku dominonte logjika “më e madhe, më e fortë, më e dukshme”, ku pasuria e tepruar dhe shfaqja e pushtetit ishin jo vetëm të pranueshme, por të admirueshme. Ishte koha kur ai u ngrit si figurë publike në Nju Jork, një qytet i ndarë mes pasurisë ekstreme dhe tensioneve sociale, kriminalitetit dhe një kulture spektakli të pandërprerë.
Shumë prej referencave të tij personale duket sikur kanë mbetur të ngrira në atë dekadë: figurat e Hollyëood-it si Sylvester Stallone, botët e sportit të George Steinbrenner, imazhi i Hulk Hogan, apo edhe estetika e kulturës pop si muzika Cats.
Edhe patriotizmi i asaj kohe shpesh kishte një ton më teatral dhe më agresiv, i ngarkuar me retorikë nacionaliste që sot tingëllon edhe më e fortë në kontekstin aktual.
Këto vite formuese duket se kanë ndikuar edhe në qëndrimet e tij të hershme ndaj Iranit dhe politikës së jashtme amerikane. Kriza e pengjeve në Teheran gjatë revolucionit iranian të vitit 1979 dhe dështimi i operacionit të shpëtimit nën presidentin Jimmy Carter lanë një gjurmë të thellë në perceptimin amerikan për dobësinë shtetërore.
Në atë kohë, Trump shpesh e përshkruante Iranin si shembull të një bote që përfiton nga hezitimi amerikan dhe fliste hapur për nevojën e një qasjeje shumë më agresive, përfshirë idenë e marrjes së burimeve të naftës.
Paralelet historike me vitin 1979 janë të vështira për t’u injoruar. Revolucioni iranian ndryshoi ekuilibrat e Lindjes së Mesme dhe ndikoi thellësisht politikën e jashtme amerikane për dekada.

Kriza e pengjeve jo vetëm që dobësoi presidentin Carter politikisht, por edhe krijoi një model të ri të perceptimit të Iranit si një kundërshtar afatgjatë strategjik.
Sot, disa nga të njëjtat dinamika po rikthehen: goditjet në tregjet energjetike, rivalitetet e fuqive të mëdha dhe presioni i brendshëm politik në SHBA.
Megjithatë, ndryshe nga 1979, ekonomia globale nuk është përballur ende me një kolaps të plotë. Tregjet financiare mbeten të paqëndrueshme, por edhe elastike, duke lëvizur mes optimizmit për diplomaci dhe frikës nga përshkallëzimi i konfliktit.
Megjithatë, rreziku gjeopolitik ka lënë një “premio të përhershme” në çmimet e energjisë dhe ka rritur pasigurinë për investitorët, që tani duhet të marrin në konsideratë skenarë që dikur dukeshin të largët.
Në këtë kuptim, bota duket se është futur në një cikël të ri ku historia nuk përsëritet saktësisht, por rikthehet në forma të reja: një përzierje e krizave energjetike, rivaliteteve globale dhe kujtimeve politike që vazhdojnë të ndikojnë vendimet e së tashmes./ The Atlantic
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje