Nga Gazeta ‘Si’- Donald Trump shpesh e ka ironizuar Ukrainën duke thënë se nuk ka “asnjë kartë në dorë” në luftën e saj të gjatë me Rusinë.
Por ndërsa konflikti me Iranin hyn në një fazë gjithnjë e më të ndërlikuar, vetë presidenti amerikan po përballet me dyshime në rritje mbi forcën reale të strategjisë së tij.
Në sipërfaqe, balanca e fuqisë duket qartësisht në favor të Shteteve të Bashkuara. Me një ekonomi gjigante, ushtrinë më të fuqishme në botë dhe mbështetjen e Izrael, Uashingtoni duket se ka avantazh dërrmues ndaj Teheranit. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se luftërat moderne nuk fitohen vetëm me epërsi ushtarake.
Irani ka arritur të shndërrojë pikat e tij të kufizuara të forcës në mjete presioni efektive. Duke përballuar goditje të forta dhe duke i detyruar edhe qytetarët e vet të përballojnë kosto të rënda, Teherani jo vetëm që ka mbijetuar, por sipas disa analistëve, ka marrë edhe iniciativën strategjike.
Pas një muaji përplasjeje, konflikti është kthyer në një betejë ndikimi. Edhe pse Trump zotëron më shumë fuqi në terma absolutë, një fitore e pastër do të kërkonte kosto të larta politike dhe ekonomike-diçka që ai duket se nuk është i gatshëm ta përballojë.
Karta më e fortë e Iranit ka qenë mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për furnizimin global me energji. Duke ndërprerë këtë rrugë kyçe, Irani ka arritur të vendosë nën presion ekonominë botërore dhe të rrisë ndjeshëm kostot politike për SHBA-në.
Administrata amerikane është përpjekur ta paraqesë situatën si sukses diplomatik, duke theksuar se Irani ka lejuar kalimin e një numri të kufizuar cisternash. Por kjo tablo është larg realitetit të plotë. Para shpërthimit të konfliktit, mbi 100 anije kalonin çdo ditë në këtë ngushticë, ndërsa tani trafiku mbetet i kufizuar. Në këtë kuptim, çdo “lëshim” nga ana e Iranit përfaqëson më shumë një zbutje të dëmit të shkaktuar sesa një fitore reale për Uashingtonin.

Në teori, SHBA ka kapacitetin ushtarak për ta rihapur me forcë këtë rrugë detare. Por një veprim i tillë do të mbartte rreziqe të mëdha. Një sulm i suksesshëm iranian ndaj një anijeje amerikane do të përbënte fitore propagandistike për Teheranin. Për më tepër, një ndërhyrje e plotë mund të kërkonte edhe dislokim trupash në terren, duke rritur rrezikun e humbjeve amerikane-një skenar që do të rëndonte më tej pozitat politike të Trump.
Opsione të tjera, si goditja e infrastrukturës kryesore të naftës në Iran, përfshirë ishullin Kharg, mbartin gjithashtu rreziqe të mëdha. Edhe pse një veprim i tillë mund të godiste rëndë ekonominë iraniane, nuk ka garanci se do ta detyronte regjimin të dorëzohej. Përkundrazi, mund të çonte në përshkallëzim të mëtejshëm dhe në një qëndrim edhe më të ashpër nga ana e Teheranit.
Ndërkohë, Trump ka lënë të kuptohet se diplomacia po zhvillohet në prapaskenë, edhe pse Irani mohon ekzistencën e bisedimeve direkte. Paralelisht, ai ka kërcënuar me përdorim të paprecedentë të forcës për ta detyruar Teheranin të ulet në tryezë.

Vendosja e mijëra marinsave amerikanë në rajon dhe dislokimi i trupave ajrore ka shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm. Analistët paralajmërojnë se durimi i Trump mund të jetë i kufizuar dhe se një operacion ushtarak për të marrë kontrollin e pikave strategjike mund të jetë gjithnjë e më pranë.
Megjithatë, çdo përshkallëzim do të kishte pasoja të rënda globale. Sulmet hakmarrëse iraniane ndaj objektivave në vendet aleate të SHBA në Gjirin Persik do të ishin pothuajse të pashmangshme. Tregjet globale do të tronditeshin dhe rreziku për një recesion botëror do të rritej ndjeshëm.
Nga ana tjetër, edhe SHBA ka një kartë të fortë që ende nuk e ka përdorur plotësisht: heqjen e sanksioneve ndaj ekonomisë iraniane. Ekonomia e Iranit është dobësuar ndjeshëm nga pamundësia për të eksportuar naftë normalisht, dhe kjo ka nxitur edhe pakënaqësi të brendshme. Por përdorimi i kësaj karte kërkon kompromis-diçka që administrata aktuale duket e gatshme ta ofrojë vetëm pjesërisht.
Paradoksi qëndron në faktin se edhe masat më të forta ndaj Iranit mund të kenë kosto për vetë SHBA-në. Një ndërprerje e plotë e eksporteve iraniane të naftës do të rriste çmimet globale, duke goditur ekonominë amerikane dhe konsumatorët.
Ndërkohë, Irani vazhdon të shfrytëzojë avantazhin e tij kryesor: kohën. Sa më gjatë të zgjasë konflikti, aq më shumë rritet presioni mbi administratën Trump për të arritur një marrëveshje-edhe nëse kjo e fundit duket si kompromis i detyruar.
Në fund, edhe pse SHBA dhe Izraeli mund të kenë dëmtuar rëndë kapacitetet ushtarake të Iranit, Teherani nuk ka nevojë për një fitore klasike në fushën e betejës. Mjafton të shkaktojë kosto të larta ekonomike dhe politike për kundërshtarët e tij.
Përfundimisht, kjo është një luftë ku “kartat” nuk maten vetëm me fuqi ushtarake, por me aftësinë për të përballuar kostot dhe për të detyruar kundërshtarin të tërhiqet. Dhe në këtë lojë të rrezikshme, një gabim i vetëm mund të çojë jo vetëm palët, por edhe ekonominë globale drejt një krize të thellë./ CNN
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje