Nga Gazeta ‘Si’- Më herët këtë muaj, Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, publikoi në X se marina amerikane kishte eskortuar me sukses një tanker në Ngushticën e Hormuzit.
Brenda pak minutash, postimi u fshi dhe Shtëpia e Bardhë sqaroi se një eskortim i tillë nuk kishte ndodhur.
Në pamje të parë ishte një keqkuptim i thjeshtë.
Në praktikë, ai zbuloi më shumë për mënyrën se si administrata e Donald Trump menaxhon krizën sesa çdo deklaratë zyrtare.
Ajo që ishte e jashtëzakonshme nuk ishte fakti që postimi ishte i gabuar, por që për rreth 10 minuta funksionoi: çmimet e naftës ranë me gati 17%, një sinjal i rremë që tregjet e pranuan, të etura për çdo shenjë zgjidhjeje.
Ngushtica e Hormuzit nuk është thjesht një pikë përplasjeje ushtarake; ajo është një nga nyjet më të rëndësishme ekonomike në botë, ku kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit global. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka cilësuar ndërprerjen aktuale si goditjen më të madhe të furnizimit me naftë në histori.
Instinkti i administratës Trump për të projektuar qetësi është i kuptueshëm. Por përpjekjet e dështuara për të qetësuar tregjet kanë zbuluar një model më të thellë: Uashingtoni po qeveris përmes deklaratave, duke shpallur realitete që ende nuk ekzistojnë dhe duke shpresuar që faktet t’i ndjekin më pas.
Zyrtarët amerikanë kanë përdorur një gjuhë hipotetike: marina “mund” të eskortojë anije, operacionet do të nisin “kur të jetë e mundur”, kontrolli do të vijë “më vonë”.
Edhe vetë Trump deklaroi se SHBA do të ndërhynte “nëse do të ishte e nevojshme” duke shmangur pohimin se kontrolli ekziston tashmë.
Ky dallim nuk është thjesht semantik. Tregjet reagojnë jo vetëm ndaj ngjarjeve, por edhe ndaj besueshmërisë së historive që u tregohen për to. Problemi është se kjo histori po shkëputet nga realiteti në terren.
Raportet tregojnë se marina amerikane ka refuzuar kërkesa për eskortim për shkak të rrezikut të lartë, ndërsa publikisht vazhdon të japë mesazhe qetësuese. Kjo tregon një hendek të dukshëm mes narrativës dhe realitetit.
Ky hendek u bë edhe më i qartë në përpjekjen e Trump për ta ndërkombëtarizuar krizën. Ai u bëri thirrje vendeve si Franca, Japonia, Britania dhe të tjera të dërgojnë anije luftarake, por fillimisht asnjë nuk e konfirmoi publikisht pjesëmarrjen. Disa madje refuzuan hapur.
Edhe kur disa vende sinjalizuan gatishmëri, Trump ndryshoi qëndrim, duke sugjeruar se SHBA mund të mos përfshihej fare në sigurimin e ngushticës -një tjetër kthesë që thekson mungesën e një strategjie të qëndrueshme.
I njëjti model është shfaqur edhe në diplomaci. Trump njoftoi se Irani kishte pranuar një marrëveshje me 15 pika, por kjo u mohua menjëherë nga Teherani. Megjithatë, tregjet reaguan sërish ndaj deklaratës.
Ky model nuk është thjesht ekzagjerim politik- është reflektim i mënyrës së qeverisjes: ndërhyrje me fjalë përpara se të ekzistojnë kushtet reale për t’i mbështetur ato.
Në politikën monetare kjo mund të funksionojë, sepse bankat qendrore kanë mjete konkrete. Në gjeopolitikë, sidomos gjatë luftës, fjalët pa mbështetje reale rrisin pasigurinë në vend që ta ulin atë.
Edhe aleatët e SHBA kanë shprehur skepticizëm. Ministri i Jashtëm gjerman theksoi se aleatët presin të informohen dhe të përfshihen – një sinjal se koordinimi ka munguar.
Në thelb, problemi qëndron më thellë: SHBA ka mbivlerësuar aftësinë e saj për të kontrolluar tregjet globale të energjisë. Edhe pse është prodhues i madh, kjo nuk do të thotë se mund të kontrollojë rrjedhën globale të naftës.
Kjo u bë e dukshme edhe në rastin e ishullit Kharg, një pikë kyçe për eksportet iraniane. SHBA goditi objektiva ushtarake, por shmangu infrastrukturën e naftës- sepse një goditje e tillë do të përshkallëzonte krizën globale energjetike.
Në fund, strategjia e Shtëpisë së Bardhë duket më shumë si performancë sesa kontroll real: një përpjekje për të përdorur narrativën për të kompensuar mungesën e kontrollit në terren.
Problemi nuk është vetëm se SHBA ka gabuar në vlerësimin e Iranit- por se ka gabuar në vlerësimin e vetes.
Burimi: Foreign Policy/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje