Nga Gazeta ‘Si’- Irani nuk duket se është i ndjeshëm ndaj “artit të marrëveshjes”.
Presidenti Donald Trump është i dëshpëruar të shesë idenë se Republika Islamike është gati t’i japë fund luftës.
Por ende nuk ka asnjë shenjë publike nga Teherani se është i gatshëm ta ndihmojë atë të tërhiqet nga një krizë që ai vetë e shkaktoi duke shkatërruar përpjekjen e tij të mëparshme diplomatike rreth katër javë më parë.
“Ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje, por kanë frikë ta thonë sepse mendojnë se do të vriten nga njerëzit e tyre,” u tha Trump anëtarëve të Kongresit të mërkurën në mbrëmje.
“Kanë frikë gjithashtu se do të vriten nga ne,” shtoi ai, në komentin e tij më të fundit të çuditshëm mbi konfliktin.
Kjo mospërputhje hedh dyshime mbi pretendimet e Trump këtë javë se një përparim mund të jetë i afërt, ndërsa dinamika po shtyn gjithnjë e më shumë drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm të konfliktit me mijëra trupa amerikane në rrugë drejt rajonit.
Çdo vendim për t’i futur ato në veprim do të përbënte një rrezik të madh për Trump, pasi mund të sjellë humbje të konsiderueshme amerikane.
Do të shkaktonte pasoja ekonomike edhe më të rënda se ato të shkaktuara tashmë nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Dhe një luftë e zgjatur mund të përthithë mandatin e dytë dhe trashëgiminë e presidentit, pasi ai erdhi në pushtet duke këmbëngulur se do t’i përfundonte luftërat, jo t’i niste ato.

Prandaj, nevoja për bisedime nuk ka qenë kurrë më urgjente.
Por shpresat për diplomaci errësohen nga një pyetje: A është tashmë tepër vonë, më shumë se tre javë pas përballjes, për të negociuar një dalje nga kriza?
Trump ka përfituar gjithmonë duke riformësuar perceptimet publike të realitetit. Por tani nevojitet substancë reale nëse ai do të ndërtojë një rrugëdalje që ruan besueshmërinë e tij, pa bërë lëshime ndaj Iranit që do të tallnin deklaratat e tij për fitore.
Momenti kërkon gjithashtu diçka tjetër të huaj për filozofinë e tij -t’i japë kundërshtarit një dalje “me fytyrë” në vend që të kërkojë dorëzim të plotë.
Trump gjithashtu nuk ka shumë kohë. Presionet politike, ekonomike dhe gjeopolitike të luftës po rriten çdo ditë.
Po afrohet momenti kur ai do të përballet me dilemën që ka çorientuar paraardhësit e tij nga Vietnami deri në Irak: nëse duhet ta përshkallëzojë luftën për të gjetur një rrugëdalje.
Irani ka humbur një pjesë të madhe të udhëheqjes dhe kompleksit të tij ushtarako-industrial, por pavarësisht potencialit shkatërrues të ushtrisë amerikane, mund të mirëpresë mundësinë për ta tërhequr një president amerikan në një konflikt më të përgjakshëm.
Qasja e paqëndrueshme e Trump ndaj luftës këtë javë- duke bërë kërcënime të rënda për të shkatërruar termocentralet iraniane dhe më pas duke u tërhequr e duke shpallur përparime të mundshme- është tipike për një stil politik ekstrem.
Megjithatë, prirja e tij drejt forcës ushtarake përpara se të ofrojë diplomaci pasqyron një realitet të zymtë: shenjat për një marrëveshje paqeje janë të dobëta.
Aaron David Miller, ish-negociator amerikan për paqen në Lindjen e Mesme, tha se “iranianët do të kërkojnë një çmim që Donald Trump nuk është i gatshëm ta paguajë, dhe kjo e lë atë përballë realitetit të një operacioni të madh, jo vetëm për të hapur ngushticën- por për ta mbajtur atë të hapur.”
Ai i tha CNN International se lufta tashmë është një krizë ndërkombëtare.
“Kjo luftë zgjedhjeje që nisi Trump tani është bërë një luftë domosdoshmërie.”
Të pritet aftësi e madhe negociuese nga administrata tani është e vështirë: ajo nuk ka pasur kurrë një justifikim të qartë për luftën dhe as një strategji të qartë daljeje.
Negociatat para luftës të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, dhe të dërguarit special Steve Witkoff me Iranin dështuan. Edhe përpjekjet e tyre në Ukrainë dhe Gaza nuk kanë sjellë përparim të qëndrueshëm.
Zv.presidenti JD Vance përmendet si një figurë e mundshme nëse bisedimet për paqe nisin, ndoshta nën ndërmjetësimin e Pakistanit ose Turqisë. Qëndrimi i tij i mëparshëm kundër ndërhyrjeve mund të jetë tërheqës për Iranin, por do ta vendoste atë në një pozitë të vështirë politike.
Trump duket më i gatshëm për bisedime sesa iranianët, ndoshta për shkak të presionit të brendshëm dhe sondazheve negative.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se SHBA ka dërguar mesazhe të shumta, por mohoi që të ketë negociata. Ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, foli për bisedime produktive.
Dallimet mes palëve janë të mëdha: Irani kërkon ndalimin e agresionit, garanci që lufta nuk do të rifillojë, dëmshpërblime lufte dhe kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit- një kërkesë që SHBA nuk mund ta pranojë.
Plani amerikan përfshin ndalimin e armëve bërthamore për Iranin, dorëzimin e uraniumit të pasuruar, fundin e grupeve aleate rajonale dhe rihapjen e ngushticës.
Edhe pse Irani ka negociuar më parë për programin bërthamor (si marrëveshja me Barack Obama që Trump e anuloi), çdo marrëveshje e re do të kërkonte lehtësim të madh sanksionesh.
Një problem themelor është se të dyja palët mendojnë se po fitojnë. SHBA dhe Izraeli kanë goditur rëndë forcat iraniane, por për regjimin iranian, mbijetesa vetë konsiderohet fitore.
Pretendimet e vazhdueshme të Trump për fitore krijojnë një kontradiktë: nëse SHBA ka fituar tashmë, pse lufta vazhdon dhe pse po dërgohen mijëra trupa të tjerë në rajon?
Megjithatë, ekziston një fije shprese për dialog. Siç ndodh shpesh, luftërat duken të pazgjidhshme deri në momentin kur nis diplomacia.
Eksperti Trita Parsi beson se edhe Irani, ashtu si Trump, ka interes për ta përfunduar luftën. Por ai thekson se Trump do të duhet të bëjë lëshime- një situatë shumë ndryshe nga ajo në fillim të konfliktit.
Ai vuri në dukje se SHBA ka bërë tashmë një lëshim të rëndësishëm: lehtësimin e sanksioneve për naftën iraniane në det për të zbutur krizën energjetike globale.
Nuk është shumë, por është një fillim.
Nëse zyrtarët amerikanë dhe iranianë nuk arrijnë shpejt një marrëveshje reale, lufta mund të përshkallëzohet në mënyrë katastrofike.
Dhe nëse diplomacia nuk mund ta frenojë më, pasojat mund të jenë të paimagjinueshme.
Burimi: CNN/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje