Nga Gazeta Si- Sa herë që rritet çmimi i naftës në Shqipëri, qytetarëve që përdorin transportin urban u fillon dhimbja kokës. Në ditën e tyre të përditshme fillojnë e riciklohen paralajmërimet e shoqatës së urbanëve se: do përgjysmohet flota, do rrisim çmimin e biletës!
Kjo është një histori që u risoll këto ditë kur than se do ketë përgjysmim të flotës ose rritje çmimi të biletës nëse nuk kompensohen. Por kjo nuk është e re, po e riciklueshme, e shoqëruar shpesh me debate mes bashkisë së Tiranës dhe qeverisë nga njëra ana e shoqatës nga ana tjetër. Çdo herë që shoqata është gjendur në vështirësi, ka dalë në deklaratë duke përsëritur të njëjtat fjali, ndërkohë që jo pak herë ka marrë dhe përgjigje kërcënuese.
Një situatë e tillë ka ndodhur në 2022.
Në mars 2022, qeveria njoftoi se do të derdhë 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që transporti të mos preket financiarisht nga pasoja e luftës Rusi-Ukrainë mbi çmimin e karburantit.
Por, Dashnor Memaj, përfaqësues i Shoqatës së transportit urban tha asokohe se edhe nëse subvencionohen, bëhet fjalë për një mbështetje 3 mujore e cila nuk e zgjidh problematikën që sipas tij kishte përfshirë transportin publik.
“Na janë grumbulluar aq shumë borxhe sa ato lekë që do merren, nëse do të merren do të shkojnë direkt te likujdimi i borxheve të naftës. Do na duhet të rrisin çmimin e biletës”, tha ai.
Ai tha se që në momentin që nafta ka filluar të kalojë pragun 200 lekë, transporti ka “jetuar” me sforco ekonomike, “që do të thotë nuk kemi qenë me performancë 100% të flotës, por jemi munduar të mbajmë linjat duke nxjerrë disa mjete”, duke krijuar kështu grumbullim të qytetarëve të cilët prisnin në stacione për shumë kohë një autobus, që nuk dihej nëse do vinte apo ishte pjesë e flotës së ‘gjymtuar’.
Disa muaj më vonë, Shoqatat e Transportit erdhën me një tjetër kërkesë, ndërhyrjen e shtetit për vijimin e paketës antikrizë, në të kundërt paralajmëruan reduktim të linjave të urbanëve, gjë që nuk u prit mirë nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili e quajti të padrejtë e të pandershëm ultimatumin e shoqatës së transporteve, duke thënë se kush nuk do dilte në punë do i hiqej automatikisht licenca. Sipas tij, shoqatat e ‘hëngrën presionin’, dhe dolën në punë. Ndërkohë, çmimi i biletës nuk u rrit kurrë.
Një debat i njëjtë është bërë edhe në 2021, ku shoqatat e transportit kërkuan indeksimin e tarifës së udhëtimit, reduktimi i TVSH-së nga 20% në 6 % dhe heqjen e akcizës ose taksës së qarkullimit për karburantin e përdorur në këtë shërbim.
Pas disa diskutimesh, pakti që u arrit mes Bashkisë Tiranë dhe shoqatës së transportit ishin formalizimi i shitjes së aboneve, vendosja e GPS në flotën e autobusëve, rritja e cilësisë së transportit, në të kundërt u hiqet licenca dhe subvencione për abonetë e studentëve dhe të kategorive sociale, por pa një vendim se çfarë ndodh në raste të veçanta, kur një krizë mund të vendosë në vështirësi transportin, siç ndodhi tani, ku nga rreth 145 lekë/litër që ishte nafta përpara krizave të fundit ka shkuar në rreth 214 lekë/litër aktualisht, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër.
Dhe në mungesë të një vendimi të tillë, sot të gjithëve u është rikthyer gangrena nga kërkesat e njëjta dhe presionet e njëjta.
Shoqatat e transportit publik paralajmëruan të martën se për shkak të rritjes së çmimit të naftës, linjat e transportit qytetas dhe ndërqytetës do të pësojnë ndryshime që do të prekin drejtpërdrejt qytetarët.
“Shteti duhet të ndërhyjë, të ulë taksat, ose të rrisë çmimin e biletës, ose të kompensojë operatorët”, tha Kostandin Foni, nga Shoqata e Transportit Urban.
Sipas tij, në pamundësi për të blerë karburant, do të pakësohet numri i autobusëve në qarkullim, çka do të thotë më shumë vonesa në transport.
“Ne kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Në rast se reduktohet flota, kjo vjen nga mosreagimi i institucioneve”, thanë përfaqësues të shoqatave.
Në thelb, çdo krizë e re e çmimit të naftës duket se rikthen të njëjtin cikël: të njëjtat kërkesa nga shoqatat, të njëjtat paralajmërime për reduktim shërbimi dhe të njëjtat përplasje me institucionet.
Pa një zgjidhje afatgjatë dhe një mekanizëm të qartë reagimi për situata krize, transporti publik mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve, ndërsa kostoja reale bie mbi qytetarët, të cilët mund të përballen me më pak autobusë, më shumë vonesa dhe pasiguri për çmimin e biletës. Në këto kushte, debati i vjetër rrezikon të mos jetë i fundit dhe krejtësisht pa vlerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje